Vendosni fjalën kyçe....

“Show mediatik, ai nuk e njeh bazën” – Dy degët e PD-së në Tiranë reagojnë pasi Shehaj shkoi në zyrën e Palokës për verifikimin e firmave


Pasi deputeti demokrat Agron Shehaj shkoi në zyrën e Edi Palokës për të verifikuar firmat e delegatëve për mbledhjen e Kuvendit më 11 Dhjetor, vjen një reagim nga Dega 5 dhe dega 7 e Partisë Demokratike në Tiranë.

Në një deklaratë të përbashkët të këtyre degëve, vajtja e Shehajt në zyrën e Palokës për të verifikuar firmat e delegatëve të zonës që kryeson ishte vetëm një “show mediatik”.

Sipas kësaj deklarate, Shehaj as nuk e njeh bazën e partisë.

“Show mediatik i Agron Shehajt me demokratët konfirmoi se interesi i tij i vetëm është protagonizmi personal. Agron Shehaj dështoi të verifikojë firmat e demokratëve, sepse ai as nuk e njeh bazën e partisë, as nuk e respekton atë. Si drejtues politik i degëve 5 dhe 7 në Tiranë, Agron Shehaj nuk ka bërë asnjë takim me demokratët që prej ditës që u zgjodh deputet.
PD në degën 5 dhe 7 në Tiranë e kudo ka vendosmërinë për të mos lënë demokratët në baltë dhe të mos lejojë nëpërkëmbjen e dinjitetit të tyre. Ne jemi në krah të demokratëve dhe interesit të Shqipërisë, me misionin e vetëm për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e PD në pushtet.”– thuhet në deklaratën e përbashkët e degëve 5 dhe 7 të PD-së së Tiranës.