Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku kërkesë SPAK për inceneratorët, kërkon të dijë ecurinë e hetimeve për Ramën, Ahmetajn edhe të tjerë


Kryetarja e Komisionit Hetimor për çështjen e inceneratorëve, Jorida Tabaku i ka drejtuar një kërkesë prokurorisë së Posaçme për të marrë informacion lidhur me dhe tre kallëzime penale të bëra nga Partia Demokratike.

Në kërkesë parashtrohen disa pyetje për SPAK për veprimet hetimore të kryera deri më tani, a po hetohen apo jo Kryeministri Edi Rama, zëvendësi Ahmetaj ish ministrat Gjiknuri e Koka si dhe biznesmenët pronarë të incineratorëve.

Kërkesa e plotë:

Kërkesa për informacion drejtuar drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben KRAJA:

  1. Partia Demokratike e Shqipërisë ka depozituar tre kallëzime penale lidhur me tre impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane (incineratorët) të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. A është regjistruar procedimi penal për secilën për këto tre kallëzime? Nëse jo, na vini në dispozicion vendimet për mosfillimin e procedimit penal. Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion aktet përkatëse të regjistrimit.
  2. Cilat janë veprimet hetimore të kryera deri më tani nga ana juaj? Në ç’fazë ndodhen hetimet për secilën çështje?
  3. Cilët janë personat, të cilëve (i) iu atribuohet vepra penale; (ii) nën hetim; dhe (iii) të pandehur për secilën çështje? A po hetohen shtetasit Edi Rama, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Lefter Koka, Alqi Bllako, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja?
  4. Kur do të përfundojnë hetimet për secilën çështje? Kur do të paraqiten kërkesat në gjykatë për secilën çështje?
  5. Cilat kanë qenë arsyet e vonesave të deritanishme në hetimin me shpejtësi të këtyre çështjeve, pasur parasysh edhe dëmin ekonomik të jashtëzakonshëm që i është shkaktuar taksapaguesve shqiptarë?

Kërkesa për informacion drejtuar Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria së Financave dhe Ekonomisë.

Kërkojmë vënien në dispozicion të një informacioni të plotë dhe të detajuar lidhur me të gjitha hyrjet që rezultojnë nga regjistri i institucionit tuaj të shtetasve Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Bashkëlidhur informacionit të vihen në dispozicion edhe kopje të faqes nga regjistri i hyrjeve të institucionit.

Kërkesa për informacion drejtuar deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Petrit Vasili

Kërkojmë vënien në dispozicion të cdo të dhëne, dokumenti apo informacioni që dispononi lidhur me tre impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane (incineratorët) në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

Kërkesa për informacion drejtuar: Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve

Kërkojmë vënien në dispozicion të praktikës së plotë, përfshirë, por pa u kufizuar në, shkresa, kërkesa, ankesa, njoftime, shpallje, procesverbale, korrespondenca, kopje të faqeve të protokollit, raporte dhe çdo dokument tjetër që disponohet nga ana e institucionit tuaj lidhur me tre impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane (incineratorit) të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.

Afati për dërgimin e dokumentacionit të kërkuar është 5 ditë nga marrja e kësaj kërkese nga ana e institucioneve të lartpërmendura.