Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedi në Bullgari, humbin jetën në aksident 46 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut


Të paktën 45 persona kanë humbur jetën në një aksident në Bullgarinë perëndimore. Sipas autoriteteve bullgare, mjeti ka marrë flakë pas përplasjes ndërsa mes viktimave ka edhe fëmijë.

Një autobus me targa të Maqedonisë së Veriut u përplas dhe shpërtheu në flakë rreth orës 2 të mëngjesit me orën lokale, ndërsa po udhëtonte në një autostradë të martën herët në mëngjes, duke vrarë të paktën 45 persona, tha zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Nikolai Nikolov, për një stacion televiziv vendas.

“Të paktën 45 njerëz u vranë pasi një autobus mori flakë dhe u përplas, ose u përplas dhe më pas mori flakë.” – tha zyrtari duke shtuar se ngjarja do hetohet.

Në aksident humbën jetën 12 fëmijë, raportojnë mediat bullgare. Raporte të tjera thanë se 46 persona u vranë.

Një pjesë e vogël e të mbijetuarve, disa me djegie të rënda, u dërguan në një spital në kryeqytetin bullgar, Sofje. Maya Argirova, drejtuese e njësisë së djegieve të spitalit, tha se disa viktima u plagosën duke u hedhur nga dritaret teksa u përpoqën të iknin nga autobusi. Shkaku i ngjarjes së rëndë mbetet i panjohur.

Në autobus ishin 52 persona. Sipas mediave bullgare, të 50 pasagjerët ishin shtetas shqiptarë, ndërsa të dy shoferët kishin pasaporta të Maqedonisë së Veriut. Automjeti po udhëtonte nga Turqia për në Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Brendshëm Bojko Rashkov tha se fatkeqësia ‘e tmerrshme’ do të hetohet.