Vendosni fjalën kyçe....

Ulsi Manja: Mbyllet burgu i Zaharisë, të burgosurit do të transferohen tek ai i Shënkollit


Burgu i Zaharisë është mbyllur me urdhër të ministrisë së Drejtësisë dhe të dënuarit, të cilët vuajnë dënimin në të ashtuquajturin si “burgu i ferrit” do të transferohen tek ai i Shënkollit në datat 27 dhe 28 nëntor të këtij viti.

Lajmi është konfirmuar këtë mëngjes nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, pas një takimi me përfaqësues të “CTP”-së dhe në prani të ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

“Në një takim me përfaqësues të CTP dhe në prani edhe të Ogertës, kam pohuar vendimin tim për transferimin e të burgosurve të Zaharisë drejt blloqeve 2-3 në Shënkoll, në datat 27-28 Nëntor!“- shkroi Manja.

Ky burg do të mbyllet përfundimisht dhe arsyet lidhen me kushtet e këqija në të cilat ai ndodhet, pasi e gjithë godina është totalisht e amortizuar dhe qëndrimi i të dënuarve brenda tij është i pamundur.

Të dënuarit e burgut të Zaharisë, të cilët kanë probleme të shëndetit mendor, do të transferohen në burgun e Shënkollit, konkretisht në bllokun 4-5 të tij. Ministria e Shëndetësisë ka rënë gjithashtu dakord me këtë vendim, madje duke bërë me dije se do të ngrihet një spital i ri, ku do të trajtohen këta persona.

“Me Ogertën firmosëm sot një marrëveshje të rëndësishme për kujdesin mjekësor ndaj personave të dënuar me probleme të shëndetit mendor.

Siç e kam thënë, do të bëj gjithçka që të dënuarit në vendin tonë të vuajnë vetëm dënimin e drejtësisë, asgjë tjetër

I gëzuar që kjo marrëveshje dhe vendimi im për mbylljen e burgut të Zaharisë ndodhën edhe në praninë e përfaqësuesve të CTP.”– shkruan Manja në një tjetër postim.