Vendosni fjalën kyçe....

Andi Bushati: Ambasada Amerikane po sillet si zyrë e propagandës së kryeministrit


Analisti Andi Bushati ka deklaruar se Ambasada Amerikane në Tiranë po sillet si zyrë propagande e kryeministrit Rama.

Ai e bëri pohimin gjatë emisionit ‘Shock’ në Euronews teksa komentoi takimin e organizuar nga kjo ambasadë me rastin e 5-vjetorit të nisjes së reformës në drejtësi. Sipas Bushatit, qeveria e ka në kontroll të plotë reformën në drejtësi.

“Shumica e protagonistëve që ishin atje janë eksponentë të njohur të së majtës, jo të majtës në fakt se s’ka të majtë këtu, vetëm rilindas, të cilët e kanë në kontroll të plotë reformën në drejtësi. Edhe njëherë akoma, ambasada amerikane nuk po bën gjë tjetër veç po sillet si zyra e propagandës së kryeministrit. T’i flasësh shqiptarëve për arritjet e mëdha të reformës në drejtësi pesë vjet më pas është të tallesh me ta. po marr një rast që ndodh sot. Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK-ut pushoi çështjen ndaj Dvoranit që e kishte paditur presidenti Meta. Sipas padisë një njeri që ka dashur të zgjedhë dy socialistë në Gjykatën Kushtetuese duke marrë dokumentin e KED-it, duke e fshehur poshtë sirtarit. Në mënyrë që parlamenti të zgjidhte ata njerëz që ambasada amerikane e përshëndeti si një hap përpara i reformës në drejtësi dhe Venecia tha kjo është shkelje e Kushtetutës.” – tha Bushati.

Ai shtoi më tej se protagonistët e reformës në drejtësi janë shërbëtorë të kryeministrit Edi Rama.

Bushati solli si shembuj të kapjes së reformës në drejtësi nga kreu i qeverisë, çështjen ndaj Ardian Dvoranit, atë të patronazhistëve, koncesionet, tenderat e dosjet e zgjedhjeve në Durrës e Dibër.

“Edhe njëherë ne sot pamë që ajka e reformës në drejtësi, SPAK dhe Gjykata e Posaçme, janë thjesht shërbëtorë të regjimit. Këta janë njerëzit që po mbron Yuri Kim me stafin e saj. E njësoj siç nxorrën të pastër Dvoranin, të njëjtin njeri që e ka shpallur ambasada krenari të reformës në drejtësi po ashtu kanë mbyllur çështjen e patronazhistëve, koncesionet e kësaj qeverie, tenderat, dosjet e vjedhjes së zgjedhjeve si ajo në Durrës e Dibër. Pra kjo është reforma në drejtësi. Dhe tani vijmë pesë vjet më pas kur po diskutohet se edhe vetingu ka dështuar se ka bërë vetëm gjysmën e punës në pesë vjet, ambasada prapë na lavdëron protagonistët e këtij procesi. Kush janë këta protagonistë, shërbëtorët ekselentë të këtij regjimi. Ata që e kanë çuar drejtësinë komplet në duart e Edi Ramës.” – mbylli deklaratën Bushati.