Më 8 nëntor 2021, Ministria e Financave ngriti me urgjencë një grup inspektimi (shkarko dokumentin) për të kontrolluar Agjencinë e Burimeve Natyrore (AKBN), arsyeja e këtij veprimi lidhet me një skandal prej 12.5 milionë dollarësh, që implikon rëndë ish-ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri, ish-drejtorin e Albpetrolit Endri Puka, si dhe ish-drejtorin e AKBN-së Dael Dervishi.
Kjo histori nis me tjetërsimin e paligjshëm të vendburimeve të naftës, e mbërrin deri te mashtrimi publik dhe fshehja e një vendimi të arbitrazhit ndërkombëtar që ka dënuar shtetin shqiptar në shumën 12.5 milionë dollarë.
Por le ta nisim këtë histori në zanafillë.
Qeveria “Berisha” i dha dikur biznesmenit Arian Tartari një koncension nafte me 3 vendburime, nëpërmjet firmës “Stream Oil”.
Tartari shiti aksionet e kësaj kompanie diku në vitin 2013, kompania që i bleu aksionet dhe të drejtat quhej “Transatlantic”.
Endri Puka, drejtori i ri i Albpetrolit i emëruar nga Gjiknuri, nisi pretendimet ndaj kompanisë Transatlantic në vitin 2014 për borxhe të pashlyera, por nga ana e saj dhe kompania ngriti pretendime për detyrime të ndërsjellta të Albpetrolit.
Palët gjetën gjuhën në vitin 2014 dhe bënë një marrëveshje të ndërmjetme mes tyre, kjo marrëveshje u cilësua asokohe krejtësisht e paligjshme nga ana e Kontrollit të Shtetit, pasi ishte jashtë kompetencës së Albpetrolit, atë marrëveshje të ndërmjetme do duhej ta lidhte vetëm AKBN-ja me Ministrinë.
Ujërat rrodhën dhe në vitin 2016, kompania “Transatlantic” vendosi të shesë aksionet dhe të drejtat në një firmë me aksionarë amerikanë të quajtur “GBC Oil LTD”.
Marrëveshja e ndërmjetme që lidhi Endri Puka më 2014-ën, po reflektonte defekte dhe palët kaluan sërish në konflikt. Por kësaj here palë në konflikt ishin amerikanët e “GBC Oil LTD”.
Endri Puka firmosi në vitin 2017 një urdhër për shtetëzimin e tre vendburimeve dhe përzënien e koncensionarit “GBC Oil LTD”.
Amerikanët e “GBC Oil” dërguan menjëherë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar (në dhomën ICC), ndërsa Endri Puka dhe Damian Gjiknuri deklaronin në vitin 2017 se përzënia e kësaj kompanie ishte një veprim efikas. Gati gati një histori suksesi.
Por historia që vjen pas arbitrazhit, ka gjasa të jetë një ndër mashtrimet më të rënda publike dhe institucionale që kanë ndodhur në Shqipëri.
Vendimi sekret i arbitrazhit
Në korrik të vitit 2020, në disa media (përfshirë dhe Hashtag.al) u raportua një lajm, sipas të cilit Shqipëria kishte fituar gjyqin në arbitrazh me firmën “GBC Oil” (lexo këtu).
Lajmi i servirur me kujdes nga zyrat qeveritare, i peshkoi thuajse të gjitha mediat, pasi ishte e pamundur ta verifikoje këtë fitore të supozuar nga qeveria. Vendimi i arbitrazhit ishte dhënë, por sigurimi i këtij vendimi ishte një mision thuajse i pamundur për gazetarët, duke qenë se me konsensusin e të gjitha palëve në gjyq, ishte vendosur sekretimi i vendimit.
Aq sekret është mbajtur ky vendim, sa dhe një burim konfident i Hashtag.al në zyrën juridike të Albpetrolit, na deklaroi se “di vetëm që e kemi fituar gjyqin e arbitrazhit në 2020-ën por vendimin nuk e kam parë ende me sytë e mi”.
Juristi kompetent i Albpetrolit në fakt gabohej, ai e dinte gabim, e vërteta është që shteti shqiptar e ka humbur gjyqin me kompaninë “GBC Oil”, shteti shqiptar është dënuar me një gjobë prej 12.5 milionë dollarësh plus pagesën e 40% të kostove të gjyqit.
Këtë vendim gjyqësor të arbitrazhit ndërkombëtar(dhoma ICC) Hashtag.al ka mundur ta sigurojë të plotë. (Lexoje të plotë).
Nga një shqyrtim i kujdesshëm i vendimit të arbitrazhit (dhoma ICC) zbulohen dy elemente me rëndësi.
Së pari, shteti shqiptar ka kërkuar ndëshkim penal për biznesmenin Arian Tartarin me qëllim shndërrimin Tartarit në “kokë turku” dhe përdorimin e goditjes së tij më pas si avantazh në verdiktin final.
Këtë pretendim për Tartarin gjykata e arbitrazhit e hodhi poshtë, duke e konsideruar tërësisht të pabazuar në evidenca dhe në një proces ligjor në Shqipëri.
Së dyti, shteti shqiptar kërkonte nga kompania “GBC Oil” një dëmshpërblim prej 27 milionë dollarësh, bazuar te marrëveshja e ndërmjetme e vitit 2014, marrëveshje e cila asokohe u godit nga KLSH-ja.
Njësoj si KLSH-ja dhe arbitrazhi e ka konsideruar këtë marrëveshje të ndërmjetme si një kontratë të lidhur nga Endri Puka “me kokë të vet” dhe tërësisht jashtë tagrës të tij. Gjykatësit e arbitrazhit kanë arsyetuar se ata do të shqyrtonin vetëm marrëveshjen hidrokarbure të firmosur nga AKBN-ja dhe Ministria e Energjisë, marrëveshjen e ndërmjetme të Endri Pukës e konsideruan si “mish të huaj”, si diçka ekstra që nuk lidhej me marrëveshjen hidrokarbure.
Ky konkluzion i arbitrazhit vendos automatikisht para përgjegjësisë ish-drejtorin e Albpetrolit Endri Puka dhe e bën atë përgjegjësin ekskluziv të këtij skandali. Pas tij në radhën e përgjegjësisë vijnë Dael Dervishi (ish-drejtor i AKBN-së) si dhe garanti i të gjithë këtij operacioni, ish-ministri Damian Gjiknuri.
E megjithatë gjykata e arbitrazhit(dhoma ICC) i la një shteg shtetit shqiptar.
E orientoi që pretendimet për marrëveshjen e ndërmjetme të vitit 2014 të shkonte e ta shqyrtonte në një tjetër dhomë arbitrazhi (dhoma UNCITRAL).
Nga kjo marrëveshje e ndërmjetme shteti shqiptar pretendonte 27 milionë dollarë dëmshpërblim, ndërsa “GBC Oil” pretendonte 95 milionë dollarë.
Kur dhoma ICC e arbitrazhit refuzoi ta shqyrtonte, i vetmi shans për shtetin shqiptar ishte t’i drejtohej dhomës UNCITRAL.
Për të kuptuar nëse shteti shqiptar i është drejtuar dhomës UNCITRAL ose jo, kontaktuam zyrtarisht Avokaturën e Shtetit (lexo këtu). Avokatura e injoroi interesimin duke mos kthyer asnjë përgjigje.
Hashtag.al konsultoi zyrën juridike të Albpetrolit, por aty askush nuk dinte gjë për ndonjë gjyq të dytë arbitrazhi në dhomën UNCITRAL.
Në ndihmë na vjen një vendim i muajit Maj 2021 i Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili bën njohjen e vendimit të gjykatës së arbitrazhit (dhoma ICC) dhe urdhëron ekzekutimin e gjobës prej 12.5 milionë dollarësh (shkarkoje të plotë vendimin e Apelit).
Vendimi i Gjykatës Apelit zbulon se deri në atë moment jo vetëm nuk ekziston asnjë angazhim i shtetit shqiptar për të hapur gjyqin e dytë me “GBC Oil”, por rezulton se shteti shqiptar ka shmangur dhe një mundësi ankimimi në lidhje me gjyqin e parë (dhoma ICC), duke pranuar pa kushte disfatën me faturë 12.5 milionë dollarë.
Madje në vendimin e Gjykatës së Apelit në Tiranë ka dhe një detaj interesant, ky vendim është i vulosur dhe nga përmbaruesi Altin Vako që do duhet të ekzekutojë mbledhjen e 12.5 milionë dollarëve.
Zoti Vako është i njëjti përmbarues që në vitin 2017, çeli bashkë me Endri Pukën procedurën për kalimin me përmbarim të vendburimit të Ballshit (ish-aset i GBC Oil) drejt kompanisë ANIO Oil, duke shënuar dhe rastin e vetëm në botë, kur një vendburim nafte jepet me përmbarim. / Hashtag.al