Nëse në iniciativën “Balkani i Hapur” (Open Ballkan) nuk përfshihen që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë, deklaroi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të mërkurën më 24 nëntor.
Gjatë një adresimi online që kishte në konferencën për “Ballkanin e Hapur” që u mbajt në Kuvendin e Serbisë, Escobar tha se iniciativat rajonale duhet të jenë barabartë të hapura për të gjitha shtetet.
Iniciativa për bashkëpunim “Ballkani i Hapur” përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parasheh lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve e njerëzve mes këtyre tre shteteve.
Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.
Escobar paralajmëroi që në mesin e sfidave të “Ballkanit të Hapur” mbesin kontrolli i kufijve pas hapjes së tyre, ulja e korrupsionit dhe ulja e kontrollit shtetëror në ekonomi.
“Krahas kësaj, është me rëndësi që këto tre shtete të cilat iniciuan ‘Ballkanin e Hapur’ të mbesin të hapura dhe të bisedojnë ngushtë edhe me tre partnerët e tjerë që mbesin skeptikë”, shtoi Escobar.