Vendosni fjalën kyçe....

Kina raporton shkallën më të ulët të lindjeve që prej vitit 1978


Kina ka raportuar shkallën e saj më të ulët të lindjeve që nga viti 1978 me 8.52 lindje për 1000 njerëz në vitin 2020 dhe këto shifra po i afrohen rrezikshëm shkallës së vdekjeve.

Sipas Librit Vjetar 2021, të publikuar nga Byroja Kombëtare e Statistikave të vendit në fundjavë, shkalla e vdekjeve vitin e kaluar ishte 7,07 për 1000 njerëz. Kjo do të thotë se norma e rritjes natyrore të popullsisë është në një nivel të ulët rekord prej 1.45 krahasuar me 3.32 në 2019. Norma e lindjeve ka qenë në rënie të vazhdueshme që nga viti 2016 pas dekadash politikash të planifikimit familjar dhe ndryshimit të klimës ekonomike.

Sipas të dhënave të regjistrimit të publikuara nga Kina në pranverë, 12 milionë foshnja lindën në vitin 2020, numri më i ulët që nga viti 1961. Me njerëzit e moshës 60 vjeç e lart që përbëjnë 18.8% të popullsisë 1.4 miliardë, Kina përballet me një problem të madh të një popullsie në plakje.

Pavarësisht vendimit të fundit për të lejuar të gjitha çiftet të kenë një fëmijë të tretë dhe masave të tjera të marra për të rritur nivelet e lindjeve, autoritetet kineze pranojnë se një numër në rritje kinezësh nga të gjitha grupet etnike po zgjedhin të martohen vonë dhe të kenë familje më të vogla për arsye ekonomike. Numri i regjistrimeve të martesave ra edhe këtë vit në 814.3 për 10,000 çifte.