Vendosni fjalën kyçe....

Ministrat njoftojnë 2 marrëveshjet që pritet të firmosen mes Shqipërisë dhe Kosovës: Vitet e punës për qytetarët do njihen në dy shtetet


Këtë të mërkurë, në Këshillin e Ministrave u miratuan dy marrëveshje që priten të firmosën në mbledhjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë, që do të mbahet ditën e premte në Elbasan.

Këto marrëveshje kanë të bëjnë me lehtësimin e procedurave të lejeve të qëndrimit për qytetarët në të dyja vendet ku do të kenë brenda dhe lejen e punës si dhe njohja e sigurimeve shoqërore të qytetarëve në dy vendet.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se ”Sot miratuam një nga marrëveshjet që do nënshkruajmë në mbledhjen e përbashkët me Kosovën që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë. Do të marrim thjeshtë me një aplikim dhe pa dokumente lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda lejes së qëndrimit do jetë edhe leja  e punës dhe është lajmi i mirë edhe për shqiptarët në Kosovë që do marrin leje qëndrimi në Kosovë me procedura të lehtësuar nga sa janë sot”.

Pas tij mori fjalën edhe Ministrja e financave Delina Ibrahimaj, e cila njoftoi marrëveshjen që pritet të nënshkruhet në lidhje me mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë.

Ibrahimaj theksoi se si pasojë e kësaj marrëveshje do t’u njihen kontributet dhe sigurimet shoqërore të gjithë personave që punojnë dhe jetojnë në të dyja vendet.

“Sot prezantojmë më Këshillin e Ministrave një marrëveshje që pritet të nënshkruhet në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive ditën e premte dhe ka të bëjë me mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë. Është marrëveshja për njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore nëpërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Marrëveshja është shumë e rëndësishme për të siguruar një trajtim të barabartë të të gjithë të punësuarve, punëmarrësve dhe të vetëpunësuarve të cilëve do t’u njihen kontributet dhe sigurimet në të dyja vendet. Nëpërmjet kësaj marrëveshje të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë do të mund të përfitojnë nga përfitimet për barrë lindjeje, nga përfitimet për aksidentet në punë, do të mund të përfitojnë nga pensionet e pleqërisë të invaliditetit, apo ato familjare.”- tha Ibrahimaj.