Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Kushi: Teksti i abetares do të jetë i njëjti në të gjithë Shqipërinë, hiqet zgjedhja alternative


Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, pas mbledhjes së përjavshme të qeverisë ka njoftuar se sot është vendosur që libri i abetares të jetë i pandryshueshëm për të gjitha shkollat e vendit.

Ajo tha se janë konsultuar me ekspertë dhe mësues dhe pritet që të punohet mbi këtë projekt.

“Morëm një vendim të rëndësishëm që lidhet me përjashtimin nga procedura e përzgjedhjes së mësuesve në bazë shkolle të tekstit të abetares.

Për ta bërë më të qartë edhe për opinionin publik, dua t’ju them që në arsimin parauniversitar, për çdo lëndë ne kemi tekste alternative dhe mësuesit e çdo lënde në çdo shkollë mblidhen dhe zgjedhin një nga tekstet e miratuara në katalogun e Ministrisë së Arsimit.

Ne kemi vendosur që nga kjo procedurë të përjashtohet teksti i abetares. Që do të thotë se të gjithë nxënësit e klasës së parë në të gjitha shkollat në të gjithë Shqipërinë, do të kenë një tekst të unifikuar.

Mësimi i gjuhës amtare ështënjë nga objektivat tanë më të rëndësishëm dhe abetarja është libri i parë me të cilin përballet nxënësi kur ulet për herë të para në bankar e shkollës.

Nga takimet që kemi zhvilluar me ekspertët si dhe me mësues, kemi dakordësuar që për abetaren të kemi një tekst të unifikuar, sepse kjo kjo ndihmon të kemi një qasje dhe metodologji të barabartë kudo. Ne do të punojmë mbi këtë projekt, në mënyrë që të vijojnë procedurat për një konkurrim të hapur, të barabartë dhe transparent, në mënyrë që në fillim të vitit shkollor 2022-2023 të gjithë vogëlushët të kenë të njëjtën abetare.”- tha ministrja Kushi.