Benjamin Netanyahu ishte i fiksuar pas kontrollit kur bëhej fjalë për mbulimin e tij në media, tha i besuari dhe ish-këshilltari i tij në një gjykatë izraelite gjatë gjyqit të vazhdueshëm të ish-kryeministrit për korrupsion.
Kontrolli i tij mbi çështjet e medias ishte ‘absolut dhe total, pa përjashtime’, sipas Nir Hefetz, një dëshmitar kryesor i prokurorisë i cili dëshmoi se Netanyahu – i cili gjithashtu drejtoi Ministrinë e Komunikimit nga 2014 deri në 2017 – i kushtonte shumë kohë mënyrës sesi media e portretizonte atë, njësoj siç bënte për shqetësimet e sigurisë.
“Netanyahu është shumë më tepër se një fanatik i kontrollit. Kur bëhej fjalë për çështjet e medias, ai dëshiron të dijë gjithçka, deri në hollësi”, tha Hefetz në Gjykatën e Qarkut të Jerusalemit në dëshminë e tij hapëse për gjyqin e quajtur ‘Rasti 4000’. Rasti pretendon se Netanyahu promovoi politika nga të cilat përfitoi pronari i gjigantit izraelit të telekomit ‘Bezeq’ në këmbim të mbulimit pozitiv në faqen e tij të lajmeve.
Hefetz dëshmoi gjithashtu se ish-ministri i Komunikimeve Gilad Erdan u hoq nga ministria në 2014 pasi Netanyahu u këshillua me gruan dhe djalin e tij. Familja me sa duket mori një ‘vendim të qartë se Netanyahu do të ishte Ministër i Komunikimit’.
Sipas gazetës Times of Israel, Hefetz u bë dëshmitar i prokurorisë pasi u arrestua dhe u mor në pyetje gjatë një periudhe dyjavore. Ai besohet se u ka ofruar prokurorëve prova kyçe nga koha e tij si bashkëbisedues midis Netanyahu dhe pronarit të ‘Bezeq’, Shaul Elovitch.
Hefetz tha se takimet e tij me Elovich ishin fokusuar se kush do të ishte ministri i ardhshëm i Komunikimit dhe dëshmoi se Netanyahu ishte ‘100%’ i vetëdijshëm për shqetësimet e manjatit të medias. Elovitch me sa duket dha një listë të kandidatëve të mundshëm për postin vakant të ministrisë, me Netanyahun si zgjedhjen e tij të preferuar.