Vendosni fjalën kyçe....

Padia për shpifje në gjykatë, Veliaj: Basha të shkojë të sqarojë ka 4 a 5 vila, unë s’kam kohë për këto punë


Kryebashkiaku i Tiranës ka thënë sot se kreu i PD-së, Basha, duhet të sqarojë në gjykatë nëse ka katër a pesë vila.

Gjatë një deklarate për mediat nga Kombinati në përurimin e një qendre të re sociale, Veliaj tha se Basha e të tjerët kanë vetëm hallin personal ndërsa ai dhe ministri i Rindërtimit Ahmetaj te shtëpitë e njerëzve.

“Përpara se të flisja më shkroi një gazetar e më pyeti: Nuk je te ky gjyqi për vilat e katërta dhe të pesta të Lul Bashës? I thashë: Nuk kam kohë unë për këtë punë. Unë dhe Beni merremi të bëjmë shtëpitë për njerëzit. Se ka katër apo ka pesë vila Lul Basha të shkojë ta sqarojë në gjykatë se nuk kemi kohë për të humbur. Këta kanë vetëm hallin e tyre. Luli u çua sot dhe e vetmja gjë që kishte në axhendë është të sqarojë në gjykatë ka katër apo pesë vila. Për këtë jemi në gjyq. Shih çfarë hallesh kanë këta. Këta zihen për foltoren, për sondazhe se kë mbështesin më shumë, Saliun e lodhur apo Lulin e përgjumur? Këta nuk kanë lidhje fare me realitetin tonë. Këta për kalamajtë tanë nuk duan t’ia dinë. Këta nuk dua t’ia dinë fare, sepse e kishin këtë bashki, e kishin këtë qendër dhe nuk u dukën njëherë.” – tha Veliaj.

Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar seanca e radhës ndaj kryebashkiakut të Tiranës Veliaj, i cili është paditur për shpifje nga ana e kreut të PD-së, Basha. Ky i fundit është paraqitur në gjykatë ndërsa Veliaj nuk ka qenë i pranishëm.