Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Meta cakton datën: Më 3 dhjetor hidhet shorti për anëtarët e rinj të KED-së


Javës tjetër do të hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), që do të funksionojnë përgjatë vitit 2022.

Presidenti Ilir Meta ka njoftuar se më 3 Dhjetor do të organizojë procedurën për hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së, të cilët zgjidhen çdo vit.

Njoftimi i Presidencës:

Për caktimin e datës për organizimin e procedurës për hedhjen e shortit nga Presidenti i Republikës, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) që do të funksionojë përgjatë vitit 2022.

PRESIDENTI I REPUBLIKËS ORGANIZON HEDHJEN E SHORTIT PËR ZGJEDHJEN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË EMËRIMEVE NË DREJTËSI (KED) NË DATË 3 DHJETOR 2021, ORA 11:00

Presidenti i Republikës, në mbështetje të:
– nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
– nenit 221 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar;

me Vendimin nr.419, datë 24.11.2021, ka vendosur që:
Ditën e premte, datë 3 dhjetor 2021, ora 11:00, në sallën “Skënderbej”, në Institucionin e Presidentit të Republikës, me adresë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1 Tiranë, do të hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të funksionojë përgjatë vitit 2022.