Sali Berisha po e kërkon strofullën e tij të fundit te feja. Feja duket se ka mbetur ajo fije bari, pas së cilës ai kërkon të kapet për të shpëtuar nderin e vet. Këtë ka ditë që e bën, por dje, nga “foltorja” e radhës, u thoshte nja dyqind grave “demokrate” në Tiranë se “ateizmi ishte feja e komunizmit” dhe se “në Shqipëri nuk do të ketë ligje ateistë”.
E para është tërësisht e pavërtetë, e dyta është shumë e rrezikshme. Me pohimin e parë, Berisha provon injorancën e vet; me të dytin, ai dëshmon se nuk i njeh parimet e vërteta të demokracisë dhe të shtetit ligjor.
Duke dashur të tregohet, edhe pas 30 vitesh si një komunist i kamufluar, se është një antikomunist i vendosur, ai predikon sot një shtet teokratik, jo një shtet demokratik. Një shtet që do të ketë ligje fetarë, jo një shtet sekularist, në punët e të cilit feja nuk duhet të përzihet.
Sali Berisha duhet ta dijë se ateizmi nuk ka lindur as me komunizmin, as me marksizmin. Ateizmi ka lindur mbi 2,500 vite më parë, në qytetërimin e lashtë greko-romak, ndërsa komunizmi, në formën e tij utopike, lindi në shekullin e 16-të dhe, si një doktrinë filozofike, apo si një ideologji, është një dukuri moderne, fillimet e së cilës i gjejmë në shekullin e 19-të.
Nëse këtë nuk e di, edhe pse duhet ta ketë mësuar në shkollë, atëherë ai nuk është më shumë sesa një njeri mediokër.
Përveç kësaj, edhe nga shekulli i 19-të e këtej, shumica e njerëzve ateistë nuk kanë qenë komunistë. Madje, shumica dërrmuse e shkencëtarëve të njohur kanë qenë ateistë, pa pasur asnjë lidhje me komunizmin. Doktor Berisha duhet ta dijë, së paku, se një ndër gjenitë e njerëzimit, ai që shpjegoi për ne origjinën e species sonë humane, pra edhe origjinën e pacientëve të doktor Berishës, Çarls Darvin, ishte ateist.
Deri 30 vite më parë, mjeku Berisha ka mjekuar dhe është kujdesur për qenie humane, të krijuara në mënyrë natyrore, siç ka provuar Darvini, jo në rrugë të mbinatyrshme.
Kur Fridrih Niçe, në vitin 1882, shpalli se “Perëndia ka vdekur” (dhe se ne e vramë atë), kjo shprehje e famshme e tij mund të ketë shënuar fillimin e “epokës së ateistëve” në shoqërinë moderne, një shoqëri “post-God”, në të cilën jetojmë sot, e cila, në thelbin e vet, është një shoqëri sekulariste. Modernizimi i shoqërisë është zhvilluar mbi bazën e racionalizmit dhe ka pasur si rrjedhojë logjike sekularizimin e saj.
Berisha duket se vuan për një kohë të gjatë një dyzim rrënues në ndërgjegjen e tij: si mjek, atij i është dashur të mbështet në shkencën mjeksore, e cila mbështetet në evidencë biologjike empirike; si politikan, atij i është dashur dhe duket se i duhet edhe më shumë sot që të sillet armiqësisht me këtë evidencë empirike.
Unë besoj se Berisha ndoshta e di se Niçen nuk e lidhte asgjë me komunizmin. Ndryshe nga Mesjeta, e sotmja është një shoqëri në të cilën ne mund të jetojmë pa Zotin. Nuk ka nevojë për një shtet komunist, ose për një ideologji komuniste; sot janë shkencat natyrore—biologjia evolucioniste, gjenetika molekulare, antropologjia evolucioniste etj.—ato që provojnë për ne se jeta jonë në planetin Tokë nuk ka asnjë lidhje me asnjë krijesë të mbinatyrshme.
Me pak fjalë, baza epistemologjike e shoqërisë moderne është besimi se nuk ekzistojnë as një zot, as fantazma, as shpirtra që të jetojnë pas vdekjes sonë apo të shkëputur nga trupat tanë dhe se gjithçka që ekziston në këtë botë natyrore ka shkaqe natyrorë dhe mund të studiohet dhe të shpjegohet nga shkenca.
Qindra mijëra shkencëtarë, filozofë, psikologë, artistë, shkrimtarë, poetë që kanë përqafuar ateizmin nuk kanë qenë komunistë, ashtu siç nuk qenë komunistë as Herakliti, Demokriti, Epikuri, Lukreci e të tjerë. Po kështu, nuk ishte Marksi i pari ai që e konsideroi fenë “opium për popullin”. Para tij, Napoleon Bonaparti thoshte se “feja është një mjet i shkëlqyer për t’i mbajtur njerëzit e thjeshtë të heshtur”.
Ish-komunisti Berisha shfaqet sot si një politikan teokrat, kur thotë se në një Shqipëri që do mund të drejtohet nga partia e tij “nuk do të ketë ligje ateistë”. Edhe një mace që nuk kupton nga arithmetika, do të thoshte Gëte, e merr vesh se Berisha ka dashur të thotë se, nën drejtimin e tij, “këtej e tutje”, shteti dhe jetët e qytetarëve do të rregullohen nga normat e fesë dhe do u nënshtrohen ligjeve fetarë. Ai nuk thotë se ligjeve të cilës fe. Ky është “demokrati” Sali Berisha.
Ka pasur një kohë në historinë e njerëzimit kur feja sundonte shtetin dhe mbi çdo aspekt të jetës së njerëzve. Ajo kohë quhej Mesjetë. Ka edhe sot shtete, të cilët drejtohen nga ligjet e fesë së tyre; këta shtete teokratikë nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracinë dhe shoqërinë moderne. Veçanërisht gratë, në disa nga këta shtete, ligjet të cilave ato u nështrohen janë po aq mesjetarë sa edhe në Mesjetë.
Që besimi në fe dhe ushtrimi i riteve të saj janë një liri dhe një e drejtë njerëzore, këtë sot nuk e mohon askush, por po kaq është një e drejtë njerëzore dhe një liri themelore për çdo individ—liri edhe nga shteti—që të mos besosh në asnjë fe, duke zgjedhur të jesh skeptik, agnostik ose ateist. Berisha u premton “demokratëve” të tij se do ta abrogojë këtë liri dhe këtë të drejtë njerëzore.
Sali Berishës gjithnjë i ka pëlqyer të tregohet se është një njeri i lexuar në shumë fusha, pa çka se në më të shumtën e herëve ai trillon fakte të paqenë dhe thotë broçkulla.
Si dikujt që ka qenë drejtues i këtij shteti dhe një figurë politike qëndrore për afro një çerek shteti, më duhet t’i kujtoj z. Berisha një ide të madhe të Xhejms Medisonit, njërit prej etërve themelues të republikanizmit amerikan dhe presidentit të katërt të Shteteve të Bashkuara, i cili thoshte se “skllavëria fetare e vë në pranga dhe e ligështon mendjen njerëzore, duke e bërë atë të papërshtatshme për çdo sipërrmarrje fisnike, duke e penguar zhvillimin e saj”.
Tomas Xheferson, nga ana e tij, kur fliste për mendimtarë të tillë iluministë dhe ateistë, si Didëro, D’Alamber, Holbah dhe Kondorse, thoshte se virtyti i tyre nuk mbështetej në fe, por në diçka më të rëndësishme sesa ajo.
Berisha u premton ndjekësve të “foltoreve” të tij një jetë më të mirë, duke anatemuar ateizmin.
Kjo më sjell ndër mend dramaturgun e shquar Xhorxh Berndart Shou, i cili, në veprën e tij Androkliu dhe luani, shkruante se, “të thuash se një besimtar është më i lumtur se një skeptik, është njëlloj si të pranosh se një njeri i dehur është më i lumtur sesa dikush që është esëll”.
Berishës i kërkohet të shpjegojë vetëm një gjë: pse danezët, suedezët apo hollandezët, të cilët janë popujt më pak fetarë në Europë dhe në botë, janë edhe njerëzit më të lumtur?
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Gazetës Dita