Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, i është përgjigjur deklaratave të sotme të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili e shpjegoi mungesën e tij në seancën gjyqësore ndaj Lulzim Bashës sot në GJKKO duke thënë se s’ka kohë të merret me vilat e kryedemokratit.
Zhupa thotë se përkundrazi, Veliaj nuk mundet dot të çojë në SPAK kasetat e tij të gatshme por duhet të shfaqet live.
“Erioni i propagandës nuk mund të çojë kasetat e tij të gatshme ne SPAK. Atje ai duhet të shfaqet live dhe të dëshmojë për shpifjet që i rëndojnë ligjërisht.
Koha e akuzave të rreme, e gënjeshtrave dhe e baltës mbi kundërshtarin duhet të marrë fund.
Për ta konkretizuar këtë akt duhet miratuar sa me shpejt vetingu i politikaneve në mënyrë që çdo i zgjedhur në këtë vend të japë llogari për pasurinë e pajustifikuar dhe lidhjet me krimin.
Vetëm kështu lidhjet e politikës me krimin dhe korrupsionin mund të ndahen përfundimisht dhe shqiptarët te kenë klasën politike që meritojnë.”- shkruan Zhupa.