Vendosni fjalën kyçe....

Ahmed Nasser Al-Raisi zgjidhet Presidenti i ri i Interpolit, Gledis Nano në Stamboll: Jemi të angazhuar për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë


Në tre ditët e fundit u zhvillua në Stamboll Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, ku sot, në ditën e fundit të punimeve, u zgjodh dhe Presidenti i ri i Interpolit, Ahmed Nasser Al-Raisi.

Në këtë Asamble ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, i cili pati edhe një takim disa minuta me Al-Raisi me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit mes Interpolit dhe policisë shqiptare.

Njoftimi i Policisë:

Stamboll/Zgjidhet Presidenti i ri i Interpolit, Ahmed Nasser Al-Raisi, i cili më parë mbante postin e Sekretarit mbi Sigurinë në Policinë e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në datat 22-25 nëntor, në Stamboll u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, Sesioni i 89 i saj, në të cilën po merr pjesë një delegacion i Policisë shqiptare, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano.
Në ditën e fundit të punimeve, Asambleja zgjodhi Presidentin e ri të Interpolit, Ahmed Nasser Al-Raisi.
Pas zgjedhjes së tij si President i Interpolit, ai zhvilloi një takim disa minuta me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, gjatë të cilit kanë konfirmuar vijimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin akoma më tej të marrëdhënieve mes Interpolit dhe Policisë së Shtetit.
Nano ka siguruar Presidentin e ri të Interpolit se Policia e Shtetit është e fokusuar në drejtim të zbatimit të ligjit dhe është e angazhuar maksimalisht për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.
Presidenti Al-Raisi ka përgëzuar Drejtor Nanon, për filozofinë që ka në drejtimin e Policisë së Shtetit, si dhe për angazhimin e tij personal për të punuar bashkërisht, me qëllim goditjen e krimit të organizuar, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Drejtor Nano, gjatë Asamblesë zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme, me homologët, në interes të forcimit të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.