Vendosni fjalën kyçe....

Berisha flet për dosjet kundër Bashës: Ka bërë transfertë të paligjshme te Nick Muzin. Rama e mban peng se nuk i përgjigjet prokurorit Belg për Toyota Yarisin


Ish kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PD Lulzim Basha, gjate homazheve ne Pallatin e Kongreseve, per nder te Heroit te Demokracise, Azem Hajdari, me rastin e 15 vjetorit te vdekjes dhe rivarrimit te eshtrave ne varrezat Deshmoret e Kombit.| Foto LSA

Në intervistën për Zërin e Amerikës, Sali Berisha foli edhe për dosjet kundër Lulzim Bashës që sipas tij po e mbajnë peng.

Dosja Nick Muzin

Berisha për dosjen ku Basha akuzohet se ka përdorur para ruse për lobim në SHBA deklaroi se kreu i PD-së ka transferuar në mënyrë të paligjshme para te Nick Muzin.

Ish-kryeministri sqaroi se qe i pari Donald Lu që i paraqiti dokumentet për Bashën. Ai theksoi se prokurorja e Tiranës që hapi çështjen kërkoi në rrugë zyrtare dëshminë e Nick Muzin dhe kjo dëshmi shkoi në ambasadë por nuk u dorëzua asnjëherë në Prokurori. Nëpërmjet kësaj sipas Berishës u përdor për të mbajtur peng Bashën.

Ambasadori Donald Lu më erdhi në zyrë dhe më solli disa dokumenta të cilat në mënyrë absolute nuk faktonin se si është bërë transferta e parave. Se gjithçka te dosja Muzin është te transferta e parave. Donald Lu m’u shpreh se janë para ruse. Dhe unë e sigurova se nuk janë para ruse. Dhe sot e them. Nuk janë para ruse. Por na të kohë, Lulzim Basha më shpjegoi se paratë u mblodhën nga biznesmenë shqiptaro-amerikan të SHBA. Nuk kishte se si të mos e besoja. Ai më gënjeu. Dhe më vonë kur Nick Muzin ra në një tjetër hetim, ai pranoi të flasë dhe të thotë të vërtetën.

Raporte të huaja të rrjedhura në mediat në Tiranë, tregojnë se prokurorja e Tiranës e cila hapi çështje për Lulzim Bashën, kërkoi në rrugë zyrtare dëshminë e Nick Muzin. Sipas këtyre raporteve ajo erdhi në ambasadë dhe nuk u dorëzua në Prokurori, por u përdor për të marë peng të themi Lulzim Bashën. Sigurisht këto do sqarohen me kohë. Por unë nuk e dija se Lulzim Basha ka bërë transfertë absolutisht të kundërligjshme. Më vonë zërat janë të qarta. Por unë i kam besuar plotësisht atij. I kam besuar dhe jam gënjyer”-deklaroi Berisha.

Dosja “Toyota Yaris”

Për sa i përket kësaj dosjeje Berisha tha se Basha i kishte thënë se për ardhjen e 5 milionë eurove e kishte sinjalizuar një kamarier në një restorant të huaj dhe rezultoi e vërtetë por nuk erdhën 5 milionë por 3.5 milionë.

Më tej ish-kryeministri theksoi se problemi qëndron se Basha nuk i përgjigjet thirrjes së prokurorit belg dhe kjo nuk është e drejtë. Sipas Berishës kryetari i PD-së këtë duhet ta sqarojë pasi Rama ia përmend shpesh dhe e mban peng pasi ai i di të gjitha.

Vijmë të dosja Toyota Yaris. Është pak më ndryshe kjo dsoje. Siç e dini ju, në qiell të hapur, ngrihet një ditë në parlament dhe i thotë Taulant Ballës se do të të vijnë ty, me një seri Toyota-sh 5 milion euro.Janë në adresë tuaj. Kjo ishte e çuditshme. Ishte diçka konkrete. Do vijnë me Toyota Yaris dhe do vijnë 5 milion. Po si mund të thuhet kjo, të premten për të shtunën, kohë kur ata që do vinin mund të devijonin rrugën dhe mund të mos vinin fare. Dhe kjo ishte si të dështoje ardhjen e tyre. Dhe unë e pyes, më thuaj pak, ç’është kjo, kush ta ka thënë ty? A rrezikon kjo që të mos vijnë tani? Se kjo është e dhënë shërbimesh, o shërbimesh kriminale, o shërbimesh inteligjente e të antidrogës. Si qenka kaq e saktë kjo gjë? Më thotë që më mori në telefon një kamarier, nga një restorant i huaj, gjëra të tilla. Po i them ata mund të kthehen e nuk kapen. Është t’i ndihmosh ata. Jo më tha, se ndiqen me GPS. Një “giallo” e vërtetë. Për çudi, ata nuk e devijuan fare rrugën, ndonëse e morrën vesh lajmin, erdhën direkt në Durrës. Jo me 5 milion, por me 3.5 milion. Gjë e cila ishte një habi e madhe, se si ata as i njoftoi kush dhe ata nuk u trembën dhe erdhën drejt e në port. I thashë çfarë ndodhi kështu? Nuk e di tha, por tha erdhën.

Marr vesh që vijnë hetuesit belg. I them, çfarë do u thuash?. Duhet të flasësh, i them unë, se kjo ngre shumë dyshime se mos janë klane rivale që njëri klan të njoftoi ty për të dëmtuar klanin tjetër dhe ti je bërë palë, dashje pa dashje në një intrigë kriminale, ose pastaj ngre dyshime se mos ti ke afera me Taulantin. Jo tha, nuk flas me ta.

Si përfundim kanë çuar 4 ose 5 letër porosi hetuesit belg, dhe zotëria nuk u përgjigjet. Kjo përbën një gjë shumë të rëndë për mua. Dhe thotë tani, ma përmend dhe Rama. Rama ja përmend se e mban peng, se Rama i di të gjitha, se unë kaq di, nuk di më shumë. Por di që ai duhet të zbardhë këtë çështje se nuk e futa unë në këtë çështje, u fut vetë nga detyrime apo qëllime të caktuara”-deklaroi Berisha.