Vendosni fjalën kyçe....

Berisha flet sot për “Zërin e Amerikës”: Nuk do krijoj forcë të re politike, në 11 dhjetor rithemelojmë PD-në


Në një kohë kur konfliktet e Brendshme në PD janë intensifikuar, ish-kryeministri Sali Berisha e përjashton mundësinë e krijimit të një force të re politike.

Të paktën kështu ka thënë ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës” që do të transmetohet më vonë gjatë mbrëmjes së sotme.

“Sot në orën 18:00 në emisionin televiziv ‘Ditari’, intervistë me ish-kryeministrin dhe ish-drejtuesin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Zoti Berisha përjashton në mënyrë kategorike, krijimin e një force të re politike. Ai shprehet i bindur se kuvendi i thirrur prej tij dhe mbështetësve të tij më 11 dhjetor do të shënojë një rithemelim të kësaj partie të cilën synon ta drejtojë sërish.”– shkruhet në një postim të “Zërit të Amerikës”.

Në videon e publikuar, Berisha shprehet se nuk janë mbledhur 2 mijë, por 4200 firma për mbledhjen e Kuvendit më 11 dhjetor.

 “Kuvendi i datës 11, mblidhet në përputhje të plotë me normat statutore. Statuti i PD, parashikon të drejtën e ¼ të delegatëve të PD-së për të mbledhur Kuvendin. Nuk janë mbledhur 2000 por janë mbledhur 4200 të dorëzuara, por tani po shkojnë drejt 5 mijë firmave në mënyrë që Kuvendi të ketë jo vetëm firmat për t’u mbledhur, por të ketë edhe maxhorancën. Tani arritja e maxhorancës e tmerron z.Basha. E di z. Basha se aty ai ka humbur dhe ai ka zgjedhur mohimin, mohimin e firmave.” -shprehet Berisha.