Vendosni fjalën kyçe....

“Dita e Hapur në Gjykatën e Lartë” – Një grup nxënësish vizitojnë institucionin dhe improvizojnë një seancë gjyqi


Një grup nxënësish kanë vizituar këtë të enjte ambientet e Gjykatës së Lartë, në kuadër të “Ditës së Hapur” në këtë institucion.

Sikurse bëhet me dije në një njoftim për mediet nga Gjykata e Lartë, një grup nxënësish të shkollës 9-vjeçare “Jeronim de Rada” në Tiranë që vizituan institucionin, ndoqën dhe një Orë të Hapur diskutimi me gjyqtarët të cilët ushtrojnë detyrën e ndihmës magjistratit në Gjykatën e Lartë.

Ata diskutuan mbi gjithçka që kishin interes mbi drejtësinë, gjyqësorin, ndarjen e pushteteve, e veçanërisht mbi Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili përmban rregullime të veçanta që kanë të bëjnë me përgjegjësinë penale të të miturve, procedurën e hetimit, ndjekjen penale, procesin gjyqësor, ekzekutimin e vendimit të dënimit penal, rehabilitimin ose të çdo mase tjetër për të miturin.

“Pjesa më interesante, e cila mori vëmendjen dhe përkushtimin maksimal të nxënësve ishte improvizimi i një seance gjyqësore mbi një rast gjyqësor penal, ku ata u ndanë në rolin e palëve në proces, si atë të gjyqtarit, prokurorit dhe avokatit.

Gjykata e Lartë mendon dhe i kushton rëndësi faktit se, përfshirja e paketave informuese dhe programeve rreth edukimit ligjor në shkollë, është një mekanizëm i cili synon të ulë ndjeshëm sjelljet negative tek të rinjtë duke parandaluar përfshirjen e tyre në aktivitete kriminale. Ky proces ndikon në përballjen e të rinjve me fenomenet sociale të përditshme, si përdorimi i lëndëve narkotike, përndjekjes së bashkëmoshatarëve, dhunës, vjedhjes, etj.”- thuhet në njoftim.

Gjithashtu, nxënësve iu mundësua edhe një vizitë nëpër ambientet e ndryshme të kësaj gjykate.

“Dita e Hapur në Gjykatën e Lartë”, është konceptuar si një ditë dialogu mes nxënësve të të gjitha moshave, studentëve dhe gjyqtarëve. Gjatë kësaj dite gjyqtarët i përgjigjen me detaje çështjeve apo pyetjeve të shtruara nga të ftuarit, bëjnë një panoramë të sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe testojnë njohuritë e përgjithshme të nxënësve mbi sistemin sot dhe gjykatat.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë ka bërë një thirrje publike, për këdo që është i interesuar se ka nisur të zbatojë sërish traditën e “Ditës së Hapur në Gjykatë”, sigurisht në zbatim të respektimit të masave të vendosura si pasojë e situatës së Covid-19.

Si një ditë dialogu mes publikut, studentëve e nxënësve me Gjykatën e Lartë, kjo ditë ka si qëllim “njohjen e qytetarëve dhe të rinjve me organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri dhe Gjykatës së Lartë, që nga themelimi i aktit të parë juridik më 10 maj 1913, proceset në të cilat po kalon sot gjyqësori në Shqipëri dhe veçanërisht në trajtimin e temave të ndryshme me interes sipas grupeve që do të vizitojnë gjykatën, si edhe vizita në ambjente të ndryshme të godinës, sallave të gjyqeve, sallës së mbledhjes së gjyqtarëve, etj.”

Në rastin e vizitës së gjykatës nga nxënës shkollash apo studentësh, mund të organizohet gjithashtu edhe një seancë gjyqi imitues siç ndodhi sot, ku pjesëmarrësit do të vihen përballë një rasti gjyqësor dhe do të përfshihen në rolet e palëve në procese gjyqësore.

Gjtkata e Lartë bën thirrje “Kushdo që ka interes për të vizituar Gjykatën e Lartë, (qytetarë, studentë, nxënës shkollash) duhet të regjistrohet në faqen zyrtare të kësaj gjykate www.gjykataelarte.gov.al , në seksionin “Marrëdheniet me Publikun” – Akreditimi ( http://gjykataelarte.gov.al/web/Akreditim_9953_1.php ), ku do të vendosë emrin dhe mbiemrin, adresën e emailit, si edhe një tekst të shkurtër mbi arsyen apo qëllimin e vizitës.”

 Më pas stafi organizator, Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun do të marrë të gjitha masat e nevojshme për organizimin e vizitës.