Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi rrëzon amendamentin e Erion Braçes për paketën fiskale, pro vetëm 10 deputetë


Kuvendi ka rrëzuar amendamentet e deputetit socialist Erion Braçe dhe deputetes demokrate Jorida Tabaku, për paketën fiskale.

“Kanë votuar pro 10 deputetë, kundër 84, abstenim 5. Është amendamenti i deputetit Erion Braçe. Pra kanë votuar pro 10 deputetë, kundër 84 dhe abstenim 5.

Amendamenti i deputetes Jorida Tabaku. Kanë votuar pro 45 deputetë, kundër 76, abstenim 0. Nuk miratohet as amendamenti i deputetit Erion Braçe, as i Jorida Tabakut.”- tha kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Kujtojmë se deputeti Erion Braçe ishte kundër paketës fiskale të propozuar nga qeveria, duke u shprehur se me këtë paketë është goditur më i dobëti, dhe ka kërkuar të hiqet favorizimi i TVSH-së për hotelet me 5 yje, pasi sipas tij mjafton favori që ju kemi bërë me lejimin e kazinove.

“Unë kam paraqitur mbi 10 amendamente, do t’i prezanton një për një. Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, kam kërkuar fillimin  shkurtimit të listës së përjashtimit të listës fiskale, do të doja që në ligjin për TVSH të propozoja heqjen e këtyre dy përjashtimeve: Heqjen e shkallës së reduktuar prej 6% tatimit mbi vlerën e shtuar  për të gjitha furnizimet në hotelet me 5 yje. Çdo furnizim brenda këtyre hoteleve, paguajnë vetëm 6% TVSH në dallim nga çdo konsumator tjetër, përfshirë edhe atë familjar duke nisur që nga çmimi i bukës.”– shprehej sot Braçe por që nuk u mbështet nga kolegët e tij.

Ndërkohë PD kishte çuar amendament për ligjin e TVSH-së ku kërkon uljen e saj nga 20 % në 6 %, që sipas Jorida Tabakut kështu do të përfitonin 659 mijë individë duke ulur çmimet e produkteve të shportës.