Vendosni fjalën kyçe....

Rama: E rëndë për Shqipërinë relativizmi vulgar i Berishës për shpalljen non-grata. PD-ja në shkatërrim e sipër


Kryeministri Edi Rama ka komentuar në emisionin “Të paekspozuarit” shpalljen non grata të Sali Berishës dhe situatën në Partinë Demokratike.

Rama tha se një person që i ka pasur të gjitha pushtetet duke qenë President dhe Kryeministër dhe të shpallet non grata nga aleati i Shqipërisë dhe të banalizojë ekstremisht këtë vendim duke i bërë relativizi vulgar është një situatë e rëndë për Shqipërinë.

“Për me kë jam unë aty, unë nuk jam me asnjërin. Pavarësisht se janë dy tipologji të ndryshmen, të dy janë e njëjta gjë. Kam marrë një vendim me veten, që mos e komentoj këtë historinë e Saliut. Që është më e rëndë sesa duket për vendin tonë. Që një njeri që ka pasur 30 vjet të gjitha, president, kryeministër, lidershipin e një prej dy partive kryesore shpallet non grata nga një vend aleat i Shqipërisë dhe banalizimi ekstrem që i bëhet këtij fakti dhe relativizmi vulgar që i bëhet këtij fakti, është e rëndë kjo për Shqipërinë.

Është një gjë që ka një peshë të madhe në raport me Shqipërinë. Unë e konsideroj një fatkeqësi të madhe që një karrierë politike, edhe për dikë që unë nuk ushqej asnjë simpati të përfundojë me atë gur në qafë dhe ky gur në qafën e një njeriu  të kthehet në gur në qafën e një vendi është e tepër për ta banalizuar”-deklaroi Rama.

Ndërsa për situatën në PD, ku po përplasen Berisha dhe Basha, kryetari i qeverisë e ka quajtur tragjikomedi.

Kryeministri ka theksuar se PD-ja është në shkatërrim e sipër.

“Nga ana tjetër është një tragjikomedi që po i ndodh PD. Është si një  humor i madh i universit që po ja kthen mbrapsht ato që i ka pasur si sebep për ti rënë në qafë të tjerëve.

Unë di që një aset sidoqoftë i politikës shqiptare është në shkatërrim e sipër, Partia Demokratike është në shkatërrim e sipër.

Nëse kjo do më kishte ndodhur mua, ju e merrni me mend se çfarë do të bënte viktima. Unë nuk e bëj të njëjtën gjë. Por një gjë po të them, që është shumë e rëndë që të ketë jehonë sado e madhe apo e vogël është një marrëzi që kjo është një konspiracion i Sorosit apo i forcave të tjera dhe DASH paska vepruar në funksion të një force të jashtëm qoftë ky Sorosi apo dikush tjetër, është çmenduri”, tha Rama.