Vendosni fjalën kyçe....

Dëshmia e truprojes së Berishës: Makina me targa të Kosovës na erdhi drejt me shpejtësi të madhe, ishte kundravajtje


Truproja e ish-kryeministrit Berisha ka rrëfyer aksidentin e ndodhur mbrëmjen e sotme, ku një mjet i preu rrugën eskortës me të cilën po udhëtonte ish-kreu i PD-së.

Sipas Ervis Tushes, mjeti tip ‘Mercedes-Benz’ me targa të Kosovës është futur kundravajtje dhe ecur me shpejtësi tej normave të lejuara.

Ai shtoi se ka qenë manovrimi i shpejtë i shoferit me të cilin udhëtonte ish-kryeministri Berisha që ka bërë të mundur shmangien e një aksidenti që mund të kishte qenë me pasoja serioze.

“Pas takimit në qytetin e Laçit, rreth orës 19:02, rrugës për në kthim, në autostradën Milot-Mamurras në drejtimin tonë vjen një Mercedes-Benz i bardhë 190 me targa të Kosovës, me shpejtësi të madhe. Falë aftësisë së shoferit të makinës së z. Berisha u bë e mundur shmangia e menjëhershme e përplasjes, pasi makina në kundravajtje ishte me shpejtësi tej normave të lejuara, po kështu edhe dy makinat pas makines së z. Berisha, ndërsa makina e tretë e ndodhur ballë për ballë ka bërë një frenim të fortë për ta shmangur, ku si pasojë është goditur nga mbrapa nga një mjet rastësor. E gjitha kjo ka ndodhur për shkak të shoferit që po i jepte makinës me shpejtësi në autostradë në korsinë e gabuar. Falë Zotit të gjithë jemi në gjendje të mirë shëndetësore, përfshire doktor Berishën.” – tha Tushe.