Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Ukrainas paralajmëron për një tentativë për grusht shteti në Kiev


Një komplot i mbështetur nga Rusia për të rrëzuar qeverinë ukrainase brenda disa ditësh është ekspozuar, ka pohuar presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, duke drejtuar gishtin nga një oligark i profilit të lartë si një nga mbështetësit e grushtit të shtetit.

Duke folur gjatë një konference maratonë për shtyp në Kiev të premten, Zelensky u tha gazetarëve se agjencitë e sigurisë ‘kanë marrë informacion se një grusht shteti do të ndodhë në vendin tonë më 1-2 dhjetor. Ne kemi regjistrime audio në të cilat përfaqësuesit e Rusisë dhe Rinat Akhmetov diskutojnë për grushtin e shtetit’.

Sipas Zelenskyt, miliarda dollarë po shpenzohen nga Akhmetov, pronari i klubit të futbollit Shaktar Donetsk dhe së fundmi një kritik kryesor i qeverisë, si pjesë e një lëvizjeje për ndryshimin e regjimit. Zelensky, megjithatë, tha se ai nuk beson se sipërmarrësi, i cili ka një vlerë neto prej më shumë se 7 miliardë dollarësh, do të marrë pjesë vetë në grusht shtet.

Duke u zotuar për veprime lidhur me komplotin e supozuar, Zelensky paralajmëroi se ‘nuk mund të luftosh kundër popullit tënd dhe presidentit që u zgjodh nga qytetarët e Ukrainës’. Ai vazhdoi të pretendonte se kërcënimet e brendshme brenda vendit tani janë shumë më urgjente sesa rreziku i një konflikti të madh ushtarak me Rusinë.

Duke folur me gazetarët të premten, sekretari i shtypit i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi kategorikisht përfshirjen e Moskës në komplotin e supozuar.

 “Rusia nuk është përfshirë në asnjë mënyrë në një rast të tillë”.

Në fillim të këtij viti, Viktor Medvedchuk, kreu i partisë më të madhe opozitare në parlamentin e vendit, u arrestua me akuzën e tradhtisë së lartë.

Ndërsa detajet e akuzave nuk janë bërë publike, ato besohet se lidhen me interesat e biznesit në Krime. Medvedchuk këmbëngul se prokuroria është e motivuar politikisht dhe akuzon Zelensky për përpjekje për të krijuar një ‘diktaturë’.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani