Vendosni fjalën kyçe....

Sot bëhen dy vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të 2019-ës, ku humbëm 51 jetë


Kjo e premte shënon 2-vjetorin e tërmetit tragjik, që tronditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 2019, duke i marrë jetën 51 qytetarëve, duke lënduar qindra të tjerë dhe me mijëra qytetarë humbën banesat.

Zonat që u prekën më shumë nga tërmeti ishin disa zona të qytetit të Durrësit, Fushë-Krujës, Laçit, Lezhës e Tiranës.

Tabloja e ditëve të para ishte rrënoja aty kishin qenë pallate, shtëpi, shkolla, njerëz që kërkonin ndihmë, ambulanca, makina policie e ushtrie, ekipe që kërkonin të shpëtonin edhe të fundit qytetar të zënë poshtë, por 51 prej tyre nuk ia dolën.

Ishte ora 03:56 e mëngjesit të 26 Nëntorit, kur qytetarët u zgjuan nga një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda. Më i fuqishmi që kishte goditur Shqipërinë në një shekull.

Epiqendra e tërmetit ishte 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, ndërsa nga lëkundjet u prekën 11 bashki. Por dëmet më të mëdha ishin në Kodër-Thumanë dhe në Durrës, aty ku u humbën edhe më shumë jetë.

Në ditët e para u ngritën rreth 300 çadra emergjencash pranë stadiumit të Durrësit dhe në Thumanë për t’iu ardhur në ndihmë për strehim rreth 1,000 personave.

Sot ndërkohë që kanë kaluar dy vite, ka disa familje që janë sistemuar në banesa të reja, por pjesa më e madhe e të dëmtuarve ende presin në çadra, kontenierë apo banesa me qira.

Procesi i rindërtimit po vijon në të gjitha bashkitë, diku drejt përfundimit e diku tjetër sapo ka nisur.