Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka akuzuar përfaqëues të PD-së se kanë pasur marrëveshje me PS-së në kurriz të partisë që drejton në zgjedhjet e 25 prillit.
Ajo zhvilloi pasditen e sotme një takim me strukturat në qytetin e Durrësit ku tha se misioni për Shqipërinë vijon dhe se ai sot është më i rëndësishëm se kurrë.
“Rikthehem me kënaqësi në takim me ekipin e Durrësit, pas një analize të plotë që kemi zhvilluar, mbi arsyet dhe pasojat e masakrës zgjedhore të 25 Prillit. Mandati i përfaqësimit në Kuvend, edhe pse ishte shprehur qartë nga qytetarët në kutitë e votimit, iu mohua LSI-së në Durrës prej marrëveshjes së fshehtë të bashkëpunimit, që ekzistonte mes qeverisë dhe shtojcës së saj në radhët e opozitës së bashkuar. Kjo është bërë e dukshme para, gjatë votimit, si dhe në çdo tavolinë të numërimit, ku interesi primar i bandës së inceneratorëve qeveri-opozitë, ishte mandati i kryeministrit në Durrës dhe vijimi i mandatit qeverisës. Ne po ringrihemi më të fortë dhe të vendosur, e bashkë me qytetarët durrsak, me gratë, vajzat dhe të rinjtë energjik, do të përfaqësojmë siç duhet interesat e çdo banori të këtij qyteti të mrekullueshëm. Misioni për shtëpinë tonë të përbashkët, vijon dhe rëndësia e tij është sot më i madh se kurrë.” – shkruan Kryemadhi në Facebook.