Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Berisha s’është pronar i PD-së, më 11 dhjetor mund të ketë miting po jo Kuvend


Numri dy i PD-së ka komentuar deputetët që i janë bashkuar Foltores së ish-kryeministrit Berisha duke theksuar se reagimi i këtij të fundit ndaj kryedemokratit ka ardhur vetëm pas vendimit të 9 shtatorit për përjashtimin nga grupi parlamentar.

Sekretari Bardhi ishte i ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24 ku tha se lëvizja e Berishës është për ta përçarë  partinë.

“Është e drejta e secilit prej tyre. Ju keni parë që askush që mendon ndryshe, s’ka shpifur kush ndaj tyre. Kemi një marrëdhënie korrekte. Është gjëja më normale në PD që dy individë mendojnë ndryshe. Nuk ka asgjë anormale, që disa të mendojnë ndyshe nga shumica e kryesisë apo këshillit kombëtar. Individi është sebepi i kësaj që po ndodh. Deri në 9 shtator, nuk kishte asnjë problem. Keni dëgjuar ndonjë të fliste për kreun e PD që ishte autokrat, kishte mbyllur partinë, asnjë nuk ka ngritur një shqetësim të tillë. Më 9 shtator u shfaqën që kishte shumë probleme PD, Basha u shpall armik, lidershipi i PD që nuk mendon si Berisha shpallet armik, apo peng të Ramës. Akuza që as Berisha nuk i mendon vetë. Lëvizja e Berishës është për të dëmtuar PD, për të përçarë PD, është oksigjen për Ramën. Njeriu më komod me situatën në PD prej Berishës është Edi Rama.” – tha Bardhi.

Ai komentoi edhe vendimin e Berishës për thirrjen e Kuvendit të PD-së më 11 dhjetor. Bardhi theksoi se Berisha nuk është pronar i partisë dhe se më 11 dhjetor mund të ketë një miting po jo Kuvend.

“Z. Berisha është i lirë të mendojë e të thotë cfarë mendon, repsekt maksimal. PD vepron mbi bazën e institucioneve. Berisha s’mund të zëvendësojë as Kuvendin Kombëtar, as këshillin e as kryetarin. Z.Berisha është lider historik i PD, respekt absolut për këtë për punën e tij, por nuk është pronar i PD-së. Pronarë janë anëtarët e PD dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet, ndaj është thirrur Kuvendi i 18 dhjetorit. Nuk ka kuvend më 11 dhjetor, ka një miting. Çdo deputet përfshi Berishën ka aftësinë të mbledhë në një sallë anëtarë e mbështetës të PD, nuk është problemi sa fort e mbush sallën Berisha. Respekt absolut ndaj cdo demokrati që nuk është shkëputur asnjëherë nga PD. Janë anëtarë të PD, do vijojnë të jenë, kanë dhënë djersë e gjak për PD, sakrificën e tyre, s’ka për ta hedhur kush në kosh për hallin personal të Berishës. Interes i tyre është fitorja e PD-së.” – shtoi Bardhi.