Vendosni fjalën kyçe....

‘Ç’po ndodh me futbollin?’ Shtohen pyetjet teksa gjithnjë e më shumë lojtarë po shfaqin probleme me zemrën


Nga Liam Tyler

Një seri ngjarjesh në futbollin e profilit të lartë ka çuar në pyetje mbi gjendjen e shëndetit të futbollistëve dhe pse po shihen më shumë raste të lojtarëve që vuajnë nga probleme me zemrën.

Kjo javë ka sjellë lajme më shqetësuese për futbollin. Të mërkurën mbrëma, Adama Traore i Sheriff Tiraspol u rrëzua përtokë teksa shtrëngonte gjoksin gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve me Real Madridin. Anësori nga Mali mbeti i vetëdijshëm dhe u ndihmua të dilte nga fusha, megjithëse nuk ka pasur raporte të mëtejshme se çfarë e shkaktoi incidentin shqetësues.

Në kampionatin e nivelit të dytë të Anglisë të martën, ndodhi një ngjarje e ngjashme kur lojtari i Sheffield United, John Fleck, u rrëzua në tokë gjatë një ndeshjeje me Reading. Lojtari i kombëtares skoceze mori rreth 10 minuta trajtim mjekësor përpara se të ndihmohej të dilte jashtë fushës, duke iu dhënë gjithashtu oksigjen. 30-vjeçari u dërgua në spital, por më pas është nxjerrë që andej.

Të enjten, Charlie Wyke i ekipit anglez të nivelit të tretë Wigan Athletic u rrëzua gjatë stërvitjes. 28-vjeçari thuhet se është në gjendje të qëndrueshme në spital, por nuk janë dhënë hollësi të mëtejshme për gjendjen e tij pasi klubi kërkoi privatësi për lojtarin dhe familjen e tij.

Tre rastet brenda një jave janë thjesht të fundit që shqetësojnë qarqet e futbollit.

Një lajm edhe më i madh në fund të tetorit përfshinte sulmuesin e Barcelonës, Sergio Aguero. Argjentinasi u tërhoq gjatë një ndeshjeje në La Liga kundër Alaves, duke vuajtur nga dhimbje gjoksi dhe duke u ankuar për marramendje.

Raportet fillestare thanë se Aguero ishte diagnostikuar me një aritmi të zemrës dhe do qëndrojë jashtë fushave për të paktën tre muaj, megjithëse që atëherë është sugjeruar se 33-vjeçari mund të detyrohet të tërhiqet nga futbolli.

Rasti i profilit më të lartë nga të gjithë në muajt e fundit – dhe ndoshta më shqetësuesi publik – erdhi në Kampionatin Evropian gjatë verës, kur mesfushori danez, Christian Eriksen pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes me Finlandën.

Jeta e Eriksen u shpëtua nga veprimet e menduara të shpejta të shokëve të skuadrës, zyrtarëve të ndeshjes dhe mjekëve. Që atëherë ai është pajisur me një pajisje për ngacmimin e zemrës (ICD), por mbeten dyshime të rëndësishme nëse lojtari i talentuar do të shihet ndonjëherë në fushë. Eriksen është vetëm 29 vjeç.

Shtimi i frikshëm i rasteve dhe konteksti i pandemisë në të cilën ato kanë ndodhur ka ngritur pyetje të dukshme në lidhje me Covid-in dhe vaksinat e hedhura për ta luftuar atë. Këtë javë, ish-sulmuesi i Anglisë, Trevor Sinclair pyeti hapur nëse fajin e kishin vaksinat, duke u mbyllur menjëherë si rezultat. Të tjerë kanë bërë po ashtu.

Për këdo që heziton vaksinën ose është plotësisht anti-vaksinave, ndoshta duket një pyetje e qartë për t’u bërë.

Megjithatë, mjekët e kanë hedhur poshtë këtë ide në shumë vende. Media brtianike ‘Telegraf’ së fundmi ndau mendimet e profesorit Keith Neal, një specialist në kërkimin e epidemiologjisë së sëmundjeve infektive në Universitetin e Nottingham. Ai tha se ishte ‘krejtësisht e papërgjegjshme bërja e këtyre komenteve të paargumentuara, në kundërshtim me trajtimin e tyre siç duhet’.

Profesor Robert Dingwall u bëri jehonë deklaratve duke thënë: “Mund të jetë joshëse të fajësosh vaksinat Covid, por ekspertët kanë një përgjegjësi publike të mos akuzojnë vaksinat pa ndonjë provë bindëse’.

Diku tjetër, shkencëtarët kanë thënë se vetë Covid ishte shkaktar i futbollistëve që vuanin nga problemet e zemrës e jo vaksinat që synojnë të luftojnë sëmundjen.

Me sa duket, Wigan lëshoi ​​një deklaratë pas kolapsit të Wyke për të hedhur poshtë idenë se vaksinat luajtën një rol në gjendjen e tij shëndetësore.

“Me miratimin e Charlie, ne mund të konfirmojmë se Charlie nuk ka bërë ende një vaksinë Covid-19 dhe kolapsi i tij nuk ishte i lidhur me ndonjë vaksinim Covid-19,” tha klubi.

Thashethemet kishin qarkulluar gjatë verës se rasti i Eriksen ishte i lidhur me vaksinën, duke bërë që zyrtarët e klubit të tij Inter Milan të mbyllnin spekulimet.

“Ai nuk kishte Covid dhe as nuk ishte vaksinuar”, tha drejtori i Interit, Giuseppe Marotta në atë kohë.

Duke folur për The Daily Mail, kardiologu kryesor Profesor Guido Pieles ka argumentuar se grupi i fundit i rasteve të frikësimit të zemrës mes futbollistëve është më shumë një ‘rastësi’ se çdo gjë tjetër.

“Nuk mendoj se mund të themi se kjo po rritet papritur, nuk mendoj se po rritet veçanërisht në futboll.” – tha ai.

“Futbollistët sigurisht nuk janë atletët që kanë volumin dhe intensitetin më të lartë të stërvitjes. Vrapuesit e qëndrueshmërisë, çiklistët e Tour de France dhe vozitësit ata stërviten me orë shumë më të gjata. Nuk mund të thuhet se në vitin apo dy vitet e fundit ata stërviten më shumë, por në 10 vitet e fundit kjo është e vërtetë. Loja është bërë më e shpejtë, por edhe njerëzit janë më në formë. Nëse luani futboll në Premier League, ju e keni bërë këtë që në moshën shtatë ose tetë vjeç.”  – shtoi ai.

Çështja u trajtua në mënyrë të ngjashme në një artikull nga Daniel Taylor i ‘The Athletic’ në fillim të këtij muaji, në të cilin u llogarit se një burrë rrëzohet në një fushë futbolli diku një herë në katër ditë. Rastet me përfundime tragjike kanë përfshirë vdekjen e 17-vjeçarit Dylan Rich gjatë një ndeshjeje të Kupës së të Rinjve të Anglisë FA në shtator.

Një nga kardiologët kryesorë në botë, Profesor Sanjay Sharma, tha për ‘The Athletic’ se ne po shohim një ‘grup statistikor’.

“Ka shumë arsye që duket sikur po rritet. Së pari, futbollistët janë shumë më të sintonizuar me shëndetin e tyre kardiak se sa kanë qenë ndonjëherë. Ata kanë parë episodin e Eriksen dhe shumë nga këta lojtarë janë të shqetësuar se diçka e tillë mund t’u ndodhë atyre. Shumë prej tyre kanë qenë dëshmitarë të këtyre arresteve kardiake. Lojtarët tani kanë më shumë gjasa të ankohen për një problem kardiak se kurrë më parë. Aguero, për shembull. Ai nuk pati një arrest kardiak, por ai kishte qartë një simptomë kardiake që e bëri atë të ndalonte së luajturi në vend që të mendonte, “Zot, nuk e di se çfarë është, thjesht do të vazhdoj dhe do të shoh si do shkojë.” – theksoi ai.

Sharma paralajmëroi se njerëzit nuk duhet të drejtojnë gishtin te vaksinat Covid, duke thënë: “Të them se vaksina mund të implikohet në këtë çështje, do ishte gjëja më e papërgjegjshme në botë.”

Në të vërtetë, ai vuri në dukje një arsye tjetër të mundshme që është intensiteti i lojës moderne dhe kërkesat e vendosura ndaj lojtarëve në nivelin më të lartë.

Po kështu, kreu i ri i Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë me ndikim (PFA) në Angli dhe Uells, Maheta Molango, tha në fillim të këtij muaji lojtarët po trajtoheshin si robotë.

“Kjo nuk është një fabrikë këpucësh.” – tha Molango për BBC.

 “Ju po flisni për qeniet njerëzore dhe ndonjëherë kam ndjenjën se ne po ecim në drejtimin që futbollistët po trajtohen si makina, po ata nuk janë.”

Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola dhe trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, janë vetëm dy nga emrat që vënë në dyshim numrin dhe shpeshtësinë e ndeshjeve gjatë sezonit.

Mediat sociale gjithashtu nënkuptojnë se historitë e lojtarëve që shemben në tokë që nga Afrika deri në Islandë mund të arrijnë shumë më tepër te publiku këto ditë, ndoshta duke nxitur shqetësime ose duke i bërë rastet të duken më të shpeshta tani sesa në të kaluarën.

Një njeri që e njeh nga dora e parë përvojën e tmerrshme të një ataku kardiak në fushën e futbollit është ish-lojtari i Bolton Wanderers, Fabrice Muamba.

Kur ishte 23 vjeç, ai u rrëzua në skena rrëqethëse gjatë pjesës së parë të një ndeshjeje të FA Cup me Tottenham në 2012, dhe më vonë u zbulua se zemra e tij kishte ndaluar së funksionuari siç duhet për plot 78 minuta. Mbijetesa e tij u quajt një ‘mrekulli’.

Çuditërisht, Muamba u detyrua të tërhiqej nga futbolli profesionist, por ka mbetur aktiv në promovimin e mirëqenies së lojtarëve – përfshirë edhe pas incidenteve të fundit.

“Ka një vetëkënaqësi për këtë. Kemi një incident të profilit të lartë, flasim shumë për të dhe mendojmë se e kemi zgjidhur, por nuk është kështu.” – tha Muamba për The Mail në lidhje me shëndetin kardiologjik të lojtarëve.

“Ne supozohet të jemi më të fortë e të fortëve, por kjo po ndodh më shpesh tani. Nëse mund t’u ndodhë atyre, mund t’i ndodhë kujtdo tjetër.”

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani