Vendosni fjalën kyçe....

Danimarka bëhet vendi i parë në BE që mbështet vaksinimin e 5-vjeçarëve kundër Covid-19


Bordi Kombëtar danez i Shëndetësisë ka rekomanduar që fëmijët e moshës pesë deri në 11 vjeç të vaksinohen kundër Covid-19, duke e bërë Danimarkën vendin e parë të BE-së që bën këtë lëvizje.

Të premten, Helene Probst, e cila është Zëvendës Drejtoresha e Bordit Kombëtar të Shëndetësisë, tha për gazetarët se vendimi vjen në një kohë shqetësuese për kombin nordik, pasi rastet e Covidit po vazhdojnë të rriten.

“Ne kemi parë një infeksion shqetësues në spitale dhe numri i të shtruarve është rritur në mbi 400.”- tha ajo.

“Jam shumë e lumtur që tani kemi një miratim për fëmijët nga mosha pesë deri në 11 vjeç. Ne kemi nevojë për këtë. Jemi ende në mes të një epidemie dhe një krize historike shëndetësore.” – është shprehur Probst, citon RT.

Ky zhvillim në Danimarkë vjen pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) rekomandoi të enjten se vaksina e Pfizer-BioNTech kundër Covid-19 mund të përdoret në mënyrë të sigurt tek fëmijët nga mosha pesë vjeç.

Probst deklaroi se ndërsa fëmijët në këtë grupmoshë nuk ishin në rrezik për të zhvilluar simptoma të rënda të Covid-19, vaksinimi i tyre mund të ndihmojë në mbrojtjen e familjes dhe miqve. “Ne duam t’i thyejmë ato zinxhirë infeksioni me vaksinimin.”- shtoi ajo.

Bordi Kombëtar i Shëndetësisë nuk ka vendosur ende një objektiv specifik se sa fëmijë nga 5 deri në 11 vjeç duhet të vaksinohen. “Por nëse arrijmë 70 për qind, atëherë do të jetë mirë.”- tha Probst për mediat.

Qeveria daneze ka krijuar një broshurë për prindërit, duke i informuar ata për vaksinimin e fëmijëve të tyre të vegjël.