Vendosni fjalën kyçe....

Ish-ministri francez akuzohet për dhunim seksual


Një aktivist i popullarizuar i mjedisit dhe ish-ministër i Francës përballet me pretendime të reja për dhunim e abuzim seksual, pasi disa gra morën pjesë në një dokumentar për të rrëfyer se ai i ka sulmuar ato.

Këto pretendime vijnë katër vjet pasi Nicolas Hulot, 66 vjeç, u akuzua së pari për dhunim seksual nga mbesa e ish-presidentit francez, François Mitterrand, shkruan The Guardian.

Në një intervistë që e dha pak kohë para transmetimit të dokumentarit të enjten, ish-ministri fuqishëm i mohoi akuzat dhe i akuzoi këto gra se po gënjejnë. Sidoqoftë, ai tha se do të tërhiqet përfundimisht nga jeta publike.

Prokurorja publike e Parisit, Laure Beccuau, të premten tha se për këto pretendime do të nisë një hetim fillestar. Pavarësisht të gjeturave, ky hetim nuk do të çojë në ngritjen formale të akuzës, sepse ngjarjet e pretenduara kanë ndodhur jashtë periudhës kohore të ndjekjes penale.

Katër gra, të përshkruara si të panjohura me njëra-tjetrën, pretenduan se janë sulmuar nga Hulot. Sylvia, e cila nuk e tregoi mbiemrin, filloi të qante përderisa përshkruante se si Hulot e kishte detyruar, sipas saj, që të kryente marrëdhënie intime orale në një veturë në një parking në maj të vitit 1989, kur ishte vetëm 16 vjeçe.

“Isha e re. Kurrë nuk kisha bërë diçka të atillë. Nuk kuptoja se çfarë donte. U ngriva. E dita se ajo që po ndodhte nuk do të duhej të ishte duke ndodhur, që ishte e keqe”, tha ajo në dokumentar.