Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu reagon për zjarrin te Covid 3: Nuk ka asnjë pacient të lënduar, flakët ranë në zonën jeshile


Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manstiruliu, ka shkuar në QSUT në spitalin Covid 3 ku ra zjarr ditën e sotme.

Në një deklaratë për shtyp Ministrja tha se flakët ranë në zonën e gjelbër në repartin e ish-kirurgjisë.

Në tre pavione të këtij spitali që ofron shërbim ndaj pacientëve me Covid ku aktualisht janë të shtruar mbi 70 persona nuk ka asnjë të lënduar.

Lidhur me shkakun e zjarrit, Manastirliu tha se po hetohet dhe se zjarri ra në zonën ku nuk ofrohen shërbime.

Këtu janë tre pavione që ofrohet shërbim ndaj pacientëve me COVID. Dua të siguroj që janë të gjithë shendosh e mirë. Incidenti ndodhi jo në zonat e pavioneve. Ashtu sikur mund të shquhet, është një incident që ka ndodhur në zonën e gjelbër, ku janë shërbimet mbështetëse. Nuk është e lidhur me 3 pavionet. Ky incident menjëherë sapo është evidentuar nga strukturat mbështesë, është reaguar përmes bombolave fikse.

Menjëherë janë informuar strukturat përgjegjëse për hetimin. Deri atëherë mund t’ju siguroj se pacientët dhe stafi spitalor janë mirë, pasi incidenti ka ndodhur në zonën jeshile, te reparti i ish-kirurgjisë e cila është një strukturë ndihmëse për spitalin Covid.

Janë mbi 70 pacientë dhe dua ta theksoj se nuk është prekur nga ky incident asnjë prej tre pavioneve. Mjetet janë marrë në kohë, shërbimi i zjarrfikëses ka ardhur në kohë dhe po bëhet dhe një investigim për të zbuluar shkaqet. Ka disa pista që po hetohen dhe menjëherë sa të kemi të dhënat do t’i bëjmë publike. Ka qenë një incident në zonën ku nuk ofrohen shërbime dhe jemi në pritje të ekspertizës që do të përcaktojë shkakun e rënies së zjarrit”, deklaroi Manastirliu.