Dy të rinj 18 dhe 19 vjeç banues në Kavajë janë arrestuar nga policia në Gjirokastër pasi po transportonin 3 emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit.
Policia u sekuestroi të rinjve, automjetin dhe 2 aparate celularë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, Policinë Rrugore dhe Forcat Shqiponja në DVP Gjirokastër, në vijim të operacionit “Muzgu”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë të shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë goditur një tjetër rast, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. I., 18 vjeç dhe N. C., 19 vjeç, banues në Kavajë.
Arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi janë kapur në flagrancë në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, duke transportuar me një automjet tip “Audi”, tre emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe dy aparat celularë.
Materialet në ngarkim të shtetasit E. I. dhe N. C. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit“-njofton policia.