Vendosni fjalën kyçe....

Biden i shkruan letër Metës: Shqipëria një vend mik i ngushtë, urime në emër të të gjithë amerikanëve


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka uruar përmes një letre homologun e tij shqiptar, Ilir Meta, me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në letrën drejtuar Presidentit shqiptar, Biden shkruan se dy vendet kanë një miqësi të mbështetur në lidhjet e familjes dhe historisë, si dhe vlerat demokratike.

Sipas presidentit amerikan, ato që ka arritur Shqipëria që nga viti 1991 janë mbresëlënëse, ndërsa i uron popullit shqiptar në emër të të gjithë amerikanëve, “një Ditë të paqtë të Pavarësisë”.

Biden shton se Shqipëria është mik i ngushtë i SHBA-ve dhe një aleat i rëndësishëm i NATO-s.

Letra e Bidenit për Metën:

28 nëntor 2021

Me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ka marrë një mesazhi të ngrohtë urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.T.Z. Joseph R. Biden Jr., ku shkruhet:

I dashur Zoti President,

Në Ditën tuaj të Pavarësisë, e uroj Shqipërinë në emër të popullit amerikan!

Këtë vit ne përkujtojmë tridhjetëvjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe festojmë një miqësi të mbështetur në lidhjet e familjes dhe historisë, si dhe mbi vlerat tona demokratike dhe përkushtimin ndaj të drejtave të njeriut, që ndajmë sa bashku.

Ato që Shqipëria ka arritur që nga viti 1991 janë mbresëlënëse.

Sot, Shqipëria është një vend mik i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një aleat i rëndësishëm i NATO-s, dhe një anëtare e sapofutur në Këshillin e Sigurisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu Shqipëria po i tregon botës mikpritjen e saj të madhe duke pritur si dhe duke iu dhënë një strehim të sigurt afganëve në rrezik.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë ndërsa ju forconi institucionet tuaja demokratike, përmbushni reformat e rëndësishme në sektorin e drejtësisë, luftoni korrupsionin për të siguruar një klimë transparente dhe të barabartë sipërmarrjeje për investitorët shqiptarë dhe ata të huaj, si dhe teksa ndiqni të ardhmen tuaj europiane.

Marrëdhënia jonë dypalëshe në rritje të tregtisë dhe investimeve, sidomos në sektorin e rëndësishëm energjetik, është kyçe për rimëkëmbjen e Shqipërisë si dhe për thellimin e partneritetit tonë.

Dëshiroj t’i uroj popullit shqiptar, edhe në emër të të gjithë amerikanëve, një Ditë të paqtë të Pavarësisë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare ta quajnë Shqipërinë një vend mik, partner dhe aleat.