Duke marrë shkas nga paniku i krijuar për shkak të lajmeve të shumta mbi variantin e ri të quajtur “Omicron” të Covid-19, mjeku i njohur epidemiolog Ilir AliMehmeti ka qetësuar qytetarët shqiptarë përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
Ai shkruan se nuk ka arsye për panik, pasi për këtë variant ende nuk ka asnjë të dhënë të sigurt: “Varianti Omicron.
E vetmja e dhënë e sigurt deri tani është që nuk ka asnjë të dhënë të sigurt!
Deri tani asnjë arsye për panik!”
Më pas në një postim të dytë, ai ngre pyetjen se mund të jetë bërë shumë zhurmë për asgjë, duke iu referuar deklaratës së Shoqatës Mjekësore të Afrikës së Jugut ku është identifikuar ky variant për herë të parë, se deri tani “Omicron” ka shkaktuar vetëm simptoma të lehta. Ai thekson se viruset evoluojnë drejt transmetueshmërisë më të lartë por dhe rrezikshmërisë më të ulët.
“Shoqata Mjekësore e Afrikës së Jugut informon se deri tani varianti Omicron shkakton simptoma të lehta!
Shumë zhurmë për asgjë?
Le të presim. Shumë shpejt do ta marrim vesh me siguri.
Viruset evoluojnë natyrisht drejt transmetueshmërisë më të lartë dhe rrezikshmërisë më të ulët.”– shkruan Alimehmeti.