Vendosni fjalën kyçe....

Hapet rruga e Arbrit, Rama e pranon: Puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në Pranverë


Sot hapet provizorisht rruga e Arbrit, e cila do të kalohet me bajpass në Tunelin e Murrizit.

Kryeministri Edi Rama është pritur atje sot me daulle dhe me muzikë, në ceremoninë e ngritjes së traut. Ai pranon se puna ka ecur ngadalë dhe e plotë rruga do hapet në Pranverë.

“Hapet për qarkullim Rruga e Arbërit, provizorisht kalohet me bajpas në Tunelin e Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë, kur rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje.”- shkruan Rama ndërsa publikon një video nga Rruga e Arbrit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar se Rruga e Arbrit bëhet e kalueshme për të gjitha mjetet duke nisur nga ora 14:00 e ditës së sotme.

Ky aks konsiderohet me vështirësi qarkullimi për shkak të kushteve atmosferike dhe do të ketë edhe kontrolle për gomat dimërore të cilat kërkohen sipas kodit rrugor përgjatë periudhës tetor-mars. 

Në ditën e parë të hapjes, shoferët janë gjendur të papërgatitur pasi nuk janë të pajisur me goma dimri, por janë me goma vere. Policia u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimri dhe të tregohen të kujdesshëm.