Vendosni fjalën kyçe....

Po vidhte pompat e naftës në një servis, arresohet 29-vjeçari në Durrës


Një i ri është arrestuar nga policia, pasi akuzohet se ka vjedhur 40 pompa nafte në ambientet e një servisi në Durrës.

Në një njoftim për mediet, Policia bën me dije se 29-vjeçari me inicialet F.Xh u kap në flagrancë duke vjedhur pompat e naftës në servisin e shtetasit F. S., 61 vjeç.

Sipas hetimeve, ky person dyshohet të jetë autori edhe i 6 vjedhjeve të tjera në Durrës, ku përfshihet vjedhja e disa matësve elektrike si dhe vjedhja e 6 banesave të ndryshme në qytetin bregdetar.

 “Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen e arrestimin e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Servisi’, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: F. Xh., 29 vjeç., banues në lagjen nr. 17, Durrës. Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur 40 pompa nafte në servisin e shtetasit F. S., 61 vjeç.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet që ky shtetas të jetë autor i 6 vjedhjeve të tjera të ndodhura në harkun kohor 21.11.2021 – 27.11.2021, në disa lagje të qytetit të Durrësit.

Ky shtetas ka vjedhur matës elektrikë dhe pajisje të tjera elektrike, si dhe orendi shtëpiake në 5 banesa, konkretisht në banesat e shtetasve P. N., banues në lagjen nr. 15 Durrës, E. Ç., B. S., E. M. dhe E. N., banues në lagjen nr. 17 e 17/1, si dhe protofolin e shtetasit F. S., banues në lagjen nr. 14, Durrës.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, në fushën e vjedhjes së pronës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.”– thuhet në njoftimin e policisë.