Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë thotë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave në Deçan, por pranoi se hetimet “nuk janë të lehta”.
Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, prokurorja e rastit, Sahide Gashi është shprehur: “I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë.”
Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona, dy nxënës shkolle dhe shoferi mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një person, por gjendja e tij shëndetësore mësohet të jetë stabile.
Motivi i të shtënave nuk është ende i qartë, por Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti është akt terrorist.