Vendosni fjalën kyçe....

Shirat e dendur e bora në vend, probleme në disa qarqe


Reshjet e shiut dhe borës në vend kanë shkaktuar disa probleme në qarkullimin e mjeteve.

Përmbytje janë regjistruar në Vlorë, në Gjirokastër shirat e dendur kanë bërë që të dalin nga shtrati disa përrenj, në Elbasan ka pasur probleme me furnizimin me energjinë elektrike ndërsa në Kukës ka pasur rrëshqitje dherash, thuhet në njoftimin e Emergjencave Civile.

Kukës

Situata në Qarkun Kukës për sot datë 29.11.2021 ora 08:30 është: I gjithë territori i Qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar.

Nga informacionet e marra nga terreni rezulton se: Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Ka patur rënie inertesh në disa segmente rruge, por si rezultat i punës së bërë nga kontraktorët që kanë në performancë këto rrugë është bërë e mundur pastrimi i tyre pa penguar qarkullimin.

Nga informacioni marrë nga Përgjegjësit e EC-së së bashkive Kukës, Tropojë dhe Has nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente.

Elbasan

Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në qarkun e Elbasanit. Burime zyrtare pranë shtabit të emergjencave civile bëjnë me dije se si pasojë e reshjeve dhe erërave në disa zona ka probleme sa i takon furnizimit me energji elektrike. Aktualisht raportohen probleme në fshatrat e Librazhdit dhe Gramshit si dhe në njësinë administrative Shushicë të Elbasanit. Po ashtu probleme ka pasur me rrëshqitjet e gurëve në vendin e quajtur Kthesa e Murrashit në Librazhd por qarkullimi i mjeteve vijon normalisht pasi firma kontraktuese është duke vijuar punën për mirëmbajtjen e rrugës. Rrëshqitje dherash raportohen edhe në fshatin Bersnike të Gramshit. Mësohet se për shkak të reshjeve gjatë dy ditëve të fundit ka edhe rritje të nivelit të ujit në lumin Shkumbin por deri më tani nuk raportohen probleme.

Fier

Reshjet e rëna në 24 orët e fundit nuk kanë qenë problematike në bashkitë e Fierit. Në bashkitë Roskovec e Patos nuk ka pasur shqetësime as përmbytje banesash, tokash, as dëme në sera sikundër në shkarje tokash e pengim qarkullimi apo mosfurnizim me energji elektrike e ujë të pijshëm.

Dëme në të mbjella nuk ka. Furnizimi me energji elektrike vazhdon ndërsa hidrovorët vazhdojnë të punojnë me kapacitet të plotë.

Lushnje

Situata është krejtësisht normale edhe ose gjatë 24 orëve të fundit kane rënë reshje të dendura në intensitet e po ashtu edhe në sasi. Kanalet përcjellin ujërat sipërfaqësore pa asnjë problem dhe nuk ka rritje të nivelit të kulturave kryesore.

Tre hidrovorët ai i Karavastasë,Tërbufit dhe Divjakës vihen në pune kur shikohet rritja e nivelit të basenit ujëmbledhës. Nuk ka pasur mungesë apo ndërprerje të energjisë elektrike si për abonentët familjarë e po ashtu edhe për bizneset. Tre hidrovorët kanë linja të dyfishta furnizimi me energji elektrike.

Nuk ka prezencë uji ne sipërfaqet e tokave bujqësore pasi ujërat evadohen nga kanalet e dyta e të treta drejt kanaleve kulluese pa asnjë shqetësim.

Vlorë

Reshjet e shiut të rëna me intensitet të lartw mbrëmjen e djeshme, kanë sjellë problematika në rrugët e qytetit të Vlorës duke përmbytur disa nga akset rrugore në qytetin e Vlorës.

Lungomare, zona te Albano dhe Romina, zona te Biblioteka janë disa nga zonat nën pushtetin e shiut mbrëmjen e së dielës. Disa automjete kanë pësuar defekte në momentin që kanë tentuare të kalojnë rrugën.

Vështirësi kanë hasur dhe kalimtarët pasi trotuaret ishin përmbytur nga uji. Ndërsa disa lagje të qytetit bregdetar që prej vitesh përmbyten për shkak të infrastukturës dhe mungesës së kanalizimeve reshjet e djeshme i kanë ngujuar brenda në banesë banorët. Ditën e sotme pritet të ketë sërisht përmbytje për shkak të reshjeve me intensitet të lartë.

Gjirokastër

Moti i keq përgjatë natës ka krijuar probleme në Bashkinë e Gjirokastrës. Konkretisht gjatë natës ka dalë nga shtrati përroi i Lënxës në fshatin Lazarat duke krijuar probleme në qarkullimin e njerëzve dhe makinave qe lidhin dy lagjet kryesore të këtij fshati. Problematike qëndron situata në aksin rural Kolonjë-Golem ku inertet e rena nga lartësitë si pasojë e shirave, kanë krijuar bllokimin e rrugës. Momentalisht banorët e Golemit gjenden të izoluar nga pjesa tjetër e vendit si rrjedhojë e kësaj situate.