Talibanët po mirëpresin turistët e guximshëm në statujat e famshme të Budës Bamiyan, monumente të lashta që grupi militant i hodhi në erë dy dekada më parë.
Të punuara nga një shkëmb në Luginën Bamyan të Afganistanit qendror rreth shekullit të gjashtë pas Krishtit, statuja Budat Bamiyan të larta 150 metra, qëndruan aty për 1400 vjet, derisa talibanët i shpërthyen me eksploziv në vitin 2001, pak para se pushtimi i SHBA-së t’i jepte fund mbretërimit të shkurtër të tyre mbi Afganistanin.
Tani talibanët janë kthyer në krye të vendit dhe e kanë hapur vendin turistik për publikun. Sipas një raporti të NBC News këtë javë, turistët kureshtarë mund të presin një biletë për 5 dollarë dhe të shikojnë vrimat e zbrazëta ku dikur qëndronin Budat.
Një vizitor afgan i tha NBC se ai nuk erdhi në vend për të vajtuar humbjen e statujave, por për të festuar shkatërrimin e tyre.
“Isha i ri kur u shkatërruan, rreth shtatë vjeç, dhe që atëherë ka qenë një ëndërr të vij e të shoh se çfarë ndodhi këtu. Jam i lumtur që ato u shkatërruan. Unë jam këtu për të parë rrënojat në fakt.” – tha qytetari.
Urdhri për të shkatërruar statujat u dha në vitin 2001 nga bashkëthemeluesi i talebanëve Mullah Omar, pavarësisht se kishte urdhëruar që ato të ruheshin si një atraksion turistik dy vjet më parë. Omari më pas dha disa deklarata kontradiktore për shkatërrimin e Budave, fillimisht duke argumentuar se ai e bëri këtë nga zhgënjimi që Perëndimi dukej më i shqetësuar për fatin e statujave sesa për popullin afgan, por më pas thuhet se deklaroi se ‘myslimanët duhet të jenë krenarë për shkatërrimin e idhujve’ dhe se ata u hodhën në erë ‘në përputhje me ligjin islam’.
UNESCO u ka bërë thirrje talebanëve që të ruajnë atë që ka mbetur nga zona e Bamyanit dhe të tjera të ngjashme në të gjithë vendin, duke deklaruar në gusht se ‘është thelbësore për të ardhmen e Afganistanit që të ruajë këto monumente’.