Vendosni fjalën kyçe....

Urimi i deputetit socialist me foton e Enver Hoxhës, PD: Të merren masa, do propozojmë paketë ligjore për dekomunistizimin


Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar lidhur me rastin e deputetit socialist, Bujar Çela, i uroi 28 nëntorin me një foto të diktatorit Enver Hoxha në grupin e “Whatsappit” të Komisionit të Sigurisë.

Në një deklaratë për mediet, Alibeaj tha se ky gjest i deputetit shpreh nevojën e menjëhershme për dekomunistizimin e shoqërisë. Për këtë arsye, ai tha se kanë kërkuar përpilimin e një pakete ligjore.

“Rasti i djeshëm i deputetit Bujar Çela tregon më së shumti që nuk është një rast i shkëputur, por më tepër se kaq. Shtron për diskutim nevojën për t’u distancuar nga diktatura Enverhiste dhe ndikimi në të ardhmen. Urimi me foton e diktatorit Hoxha nga një ligjvënës nuk është thjesht shkelje etike, por më tepër.

Kjo tregon nevojën urgjente për dekomunizimin e shoqërisë shqiptare. Në emër të kolegëve deputetë, do të kërkojmë në Këshillin e Etikës marrjen e masave ndaj deputetit në fjalë, si një reagim i domosdoshëm. Po përveç kësaj, ajo që ne kemi propozuar kryetarit të partisë, është që PD, të paraqesë një paketë të plotë ligjore për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.”- deklaroi deputeti demokrat.