Pas dorëheqjes së Imzot George Frendos, Papa Françesku ka emëruar Arjan Dodajn si Arqipeshkvin e ri të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës.
Ky i fundit ishte peshkop titullar i Lestronës dhe ndihmës i së njëjtës kryepeshkopatë, Kryepeshkop Mitropolitan Tiranë-Durrës (Shqipëri).
Kujtojmë se Imzot Gerorge Frendo e ka mbajtur postin e Aripeshkvit të Tiranës dhe Durrësit për 5 vite që nga emërimi i tij më 17 nëntor 2016.
Imzot Frendo gjatë fjalës së tij, shprehu besimin se Dodaj do të jetë një drejtues i përkushtuar.
“Ka ardhur kohë për të thënë lamtumirë. Është koha të kërkoj falje prej zotit dhe prej atyre që i kam fyer ndoshta pa dashje, të kërkoj falje prej zotit dhe prej jush kur nuk ju kam dhënë shembullin e duhur si i krishterë. Tani presim ditën kur kjo Arqidioqezë do t’i besohet Arjan Dodajt, i cili për 4 vjet ka qene dhe është për pak kohë ipeshkvi ndihmës. Kam besim se do ta drejtojë dioqezën me përkushtim dhe shumë besim e lutje.”- tha Imzot Frendo.
Pas kësaj, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në “Facebook”, duke e përgëzuar Arjan Dodajn.
“Papa Françesku emëron një Arqipeshkv shqiptar të lindur e rritur në Shqipëri, në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës! Urime ARJAN DODAJ dhe Zoti qoftë me Ju në këtë mision kaq fisnik!”- shkruan Rama.
KUSH ËSHTË ARJAN DODAJ
Meshtari i mirënjohur, don Arjan Dodaj, lindi në Laç të Kurbinit, në Kryediqezën e Tiranë-Durrësit, më 21 janar 1977. Në vitin 1993, pasi kishte kryer shkollën e mesme në qytetin e lindjes, emigroi në Itali. U vendos në Cuneo, ku nisi të punojë.
Më 1977 kërkoi të pranohej në Vëllazërinë Meshtarake të Bijve të Kryqit, pranë Bashkësisë “Shtëpia e Marisë”, në Romë. Në rrugën e përgatitjes për meshtari, nisi studimet e filozofisë e të teologjisë pranë Universitetit Papnor “Mbretëresha e Apostujve” ku mori titullin e Bakalaureatit.
U shugurua meshtar më 11 maj 2003 nga Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u inkardinua në Dioqezën e Romës, si anëtar i Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit, në bashkësinë ” Shtëpia e Marisë”.
Pas shugurimit meshtarak kreu detyra të ndryshme baritore. Nga 2003 deri më 2004 ishte zëvëndës-famullitar në Famullinë “Shën Domenico Guzman”, në Romë; nga 2004 deri më 2005, Zëvendës-Rektor i Rektorisë së “San Giovanni della Malva” dhe Kapelan i bashkësisë shqiptare në Romë; nga 2005 deri më 2017, zëvendës famullitar i Famullisë “Shën Rafaeli Kryeengjëll”, në Romë.
Më 2027, me miratimin e ipeshkvit të vet, Kardinalit-Mëkëmës të Shenjtërisë së Tij për Dioqezin e Romës, u transferua si meshtar fidei donum në Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, ku kreu këto detyra baritore: Mëkëmës i përgjithshëm, Famullitar i famullisë të “Zemrës së Papërlyer të Zojës Mbretëreshë” në Gramëz; Drejtues i baritorisë universitare; Sekretar i dytë i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare dhe sekretar i përgjithshëm i Sinodit dioqezan.