Vendosni fjalën kyçe....

Putin i përgjigjet NATO-s: Kërcënime të tilla janë një “vijë e kuqe” për ne


Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar pas paralajmërimeve të NATO-s me të njëjtën gjuhë. Ai ka paralajmëruar ashpër NATO-n kundër vendosjes së trupave dhe armëve të saj në Ukrainë, duke thënë se kjo përfaqëson një vijë të kuqe për Rusinë dhe do të shkaktonte një përgjigje të fortë.

Duke komentuar shqetësimet e vendeve perëndimore rreth synimit të supozuar të Rusisë për të pushtuar Ukrainën, Putin tha se Moska është po aq e shqetësuar për stërvitjet e NATO-s pranë kufijve të saj.

Duke folur me pjesëmarrësit e një forumi investimi në internet, Putin u shpreh se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes ka kërcënuar interesat kryesore të sigurisë së Rusisë. Ai shprehu shqetësimin se NATO mund të përdorë përfundimisht territorin ukrainas për të vendosur raketa të afta të arrijnë Moskën në vetëm pesë minuta.

“Shfaqja e kërcënimeve të tilla përfaqëson një ‘vijë të kuqe’ për ne.”– tha Putin, citon AP. “Shpresoj se nuk do të arrihet deri te kjo dhe mendja e shëndoshë dhe përgjegjësia për vendet e tyre dhe komunitetin global përfundimisht do të mbizotërojë.”

Presidenti rus shtoi se Rusia është detyruar të kundërshtojë kërcënimet në rritje duke zhvilluar armë të reja hipersonike.

“Çfarë duhet të bëjmë?”- tha Putin. “Ne do të duhet të zhvillojmë diçka të ngjashme për të synuar ata që na kërcënojnë. Dhe ne mund ta bëjmë këtë edhe tani.”