Vendosni fjalën kyçe....

Raporti zbulon se 1 në 3 punonjës të Parlamentit Australian janë ngacmuar seksualisht


Një raport i ri në Australi ka zbuluar se një në tre punonjës të parlamentit është ngacmuar seksualisht. Të anketuarit e quajtën Parlamentin australian një “botë mashkullore” ku gratë “ndiheshin me fat” nëse dikush i dëgjonte shqetësimet e tyre.

Raporti i titulluar “Vendosni standardin”, u paraqit të martën në Parlament. Ai zbuloi se më shumë se gjysma e atyre që punonin në mesin e ligjvënësve të vendit kishin përjetuar një formë ngacmimi, ngacmimi seksual, sulm seksual aktual ose tentativë. Viktimat kishin më shumë gjasa të ishin gra.

Siç shkruan RT, raporti zbuloi se rreth 63% e të anketuarve kishin përjetuar ngacmime seksuale dhe burrat u gjetën përgjegjës për shumicën e sjelljeve të tilla në ambientet e punës parlamentare. Një deputete grua i tha Komisionit Australian për të Drejtat e Njeriut se “kultura e lejoi dhe inkurajoi” këtë.

Duke i përshkruar gjetjet e raportit si “të tmerrshme”, kryeministri Scott Morrison theksoi se nuk kishte “asnjë justifikim” për të “normalizuar sjelljen e papërshtatshme, të pashëndetshme dhe joprofesionale”.

Pavarësisht raportit, ai shprehu besimin e tij se Parlamenti ishte më i sigurt tani sesa kishte qenë në fillim të vitit.

Politikanët dhe punonjësit aktualë dhe të mëparshëm, shumica prej tyre gra, ishin mes 1723 personave që iu përgjigjën hetimit. Ky raport vjen një vit pasi një ish-punonjëse, Brittany Higgins, pretendoi se ajo ishte përdhunuar në vitin 2019 nga një koleg në zyrën e një ministri. Pretendimet e saj nxitën një valë akuzash të tjera për sjellje të pahijshme.