Të gjitha rrugët në vend janë të kalueshme pavarësisht reshjeve të shiut e borës në pjesën më të madhe të vendit.
Njoftimin e ka bërë ARRSH-ja që thekson se në vendet ku ka pasur probleme me qarkullimin për shkak të borës është punuar gjatë natës. Po kështu në rrugët që kanë pasur borë e ngricë është hedhur kripë.
Drejtuesve të mjeteve u bëhet thirrje që të respektojnë sinjalistikën rrugore e të ecin me shpejtësi të zvogëluar.
“Reshje shiu dhe dëbore kanë përshkuar të gjithë vendin, por pa sjellë probleme për bllokimin e qarkullimit të mjeteve. Kontraktorët kanë punuar gjatë gjithë natës me mjete borëpastruese dhe punëtorë për pastrimin e rrugës nga bora, shpërndarjen e kripës dhe nga materialet inerte ne ato segmente ku kanë vijuar reshjet e shiut. Akset rrugore nacionale janë të hapura dhe qarkullimi kryhet pa probleme. Drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore e të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugor.” – shkruan ARRSH.