Vendosni fjalën kyçe....

Ronaldo në sherr me organizatorin e “Topit të Artë”: Ai gënjeu kur tha se ambicia ime është t’ja kaloj Messit


Cristiano Ronaldo ka akuzuar redaktorin e France Football se ka gënjyer kur tha se ambicia e vetme e portugezit ishte të dilte në pension me më shumë Topa të Artë se Lionel Messi.

Organizatori i Topit të Artë, Pascal Ferre, e bëri këtë pretendim në një intervistë për New York Times.

Por Ronaldo ka reaguar duke thënë: “Unë fitoj gjithmonë për veten time dhe për klubet që përfaqësoj. Unë fitoj për veten time dhe për ata që më duan. Unë nuk fitoj kundër dikujt.”

Të premten, Ferre i tha gazetës New York Times: “Ronaldo ka vetëm një ambicie, dhe ajo është të dalë në pension me më shumë Topa të Artë se Messi dhe unë e di këtë sepse ai ma ka thënë mua”.

Ronaldo u përgjigj në rrjetet sociale duke thënë: “Pascal Ferre gënjeu, ai përdori emrin tim për të promovuar veten dhe për të promovuar botimin për të cilin punon.

Është e papranueshme që personi përgjegjës për dhënien e një çmimi të tillë prestigjioz mund të gënjejë në këtë mënyrë, në mungesë respekti absolut për dikë që ka respektuar gjithmonë France Football dhe Topin e Artë. Dhe ai gënjeu sërish sot, duke justifikuar mungesën time nga Gala-ja me një karantinë të pretenduar që nuk ka arsye të ekzistojë.”

Ronaldo shkruan mes të tjerash: “Ambicia më e madhe e karrierës sime është të fitoj tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë për klubet që përfaqësoj dhe për kombëtaren në vendin tim. Ambicia më e madhe e karrierës sime është të lë emrin tim të shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit botëror”.

“Topi i Artë” që i jepet futbollistit më të mirë të vitit, votohet nga 180 gazetarë në mbarë botën dhe prezantohet nga France Football. Këtë vit fitoi argjentinasi Lionel Messi, duke marrë kështu trofeun e tij të shtatë.