Vendosni fjalën kyçe....

‘Telefonyi Zakon-‘ dhe ‘Kriminelli’ Thoma Gëllçi


 Alias: Diplomatiques

“Telefonyi Zakon “ është përshkrimi më i plotë, më isaktë, më i qartë, më domethënës dhe njëherazi shpjegimi më konçiz i mundshëm i mungesës së “Rule of Law” në një sistem drejtësie. Por jo vetëm kaq. “ Telefonyi Zakon” shprehja e famëshme e Rusisë bolshevike që ishte aq popullore në kohën e prokurorit të Stalinit, Vishinski, përveçse konstaton se sistemi i drejtësisë nuk bazohet në “Rule of Law” tregon qartë se si prokuroria dhe gjykata funksionojnë: Në vend të Rule of Law– që supozon zbatimin e ligjeve, të procedurave, që respekton pafajësinë e një të akuzuari deri në një vendim gjykate të formës së prerë, bazuar tek faktet, dokumentet, provat, dëshmitë, dhe ku secili është i barabartë përpara ligjit pamvarësisht nga pushteti apo pasuria që mund të zotërojë, “Telefonyi Zakon “ ose ligji permes telefonit në sistemin e drejtësisë, është shkelja flagrante e lirive dhe të drejtave të njeriut: ndalimi, arrestimi, hetimi madje edhe dënimi, përfshirë edhe dënimet ekstreme- vetëm përmes një urdhri të dhënë nga telefoni.

Në sistemin e drejtësisë që funksionon sipas parimit “Telofonyi Zakon” qytetari arrestohet, hetohet dhe dënohet me burg, disa vite, ose me burg të përjetshëm ose me vrasje me plumb ose me varje në litar, dhe pas kësaj përgatitet dosja me evidencën dhe kërkohen dhe sajohen provat e kryerjes së krimit. Në këtë sistem drejtësie zakonisht viktimat nuk e dinë krimin që kanë kryer, por shpesh në dosjet e tyre mund të gjesh edhe rrëfimin “vullnetar” të vetë këtyre viktimave për krime imagjinare të cilat as që i kanë menduar në jetën e tyre. Kjo ndodh falë një instrumenti tjetër të rëndësishëm të “Telofonyi Zakon”: torturës.

“Drejtësia” sipas parimit “Telefonyi Zakon “ është më e vjetër se Rusia Sovjetike, por në Rusinë bolshevike u perfeksionua si një institucion përmes të cilit më shumë se rreguli, rendi dhe ligji, mbahej në këmbë regjimi. Por jo vetëm në Rusinë Sovjetike. Për shembull më 1958 gjykata speciale në Pragë dënoi me vdekje përveç të tjerësh edhe një anëtare të lartë të partisë komuniste çekosllovake me akuzën e një komploti kundër partisë dhe shtetit”. Pesëdhjetë vjet më vonë, më 2008, gjykata e Pragës urdhëroi hapjen e dosjes për të parë “krimin” që kishte kryer ish udhëheqësja e Partisë, e pushkatuar: Asnjë evidencë asnjë provë që të dëshmonte veprimtarinë armiqësore të saj.

Shqipëria komuniste ka qënë një dëshmi e gjallë e një sistemi të drejtësisë sipas parimit ‘Telefonyi Zakon”. Ata që nuk kanë lexuar për shembull triologjinë e At Zef Pëllumbit, një dëshmi tragjike e “Telefony Zakon,” ndoshta mund të kenë parë apo dëgjuar rrëfimin “vullnetar” të Fiqerete Shehut “ për veprimtarinë armiqësore” të saj dhe bashkëshortit, kryeministrit Mehmet Shehu. (Kush e ka parë gjymtimin e zonjës Shehu nuk do t’i duhej shumë fantazi për të kuptuar llojet e torturave që sistemi në fjalë kishte eksperimentuar mbi trupin dhe shpirtin e saj.)

Rënia e regjimit bolshevik që Enver Hoxha bashkë me Mehmet Shehun, Fiqerete Shehun dhe të tjerë ndërtuan në Shqipëri nuk i dha fund menjeherë dhe përfundimisht “ telefonyi zakon”. Pamvarësisht se Shqipëria e sotme e ka lënë mbrapa trashëgiminë kriminale të Hoxhës, Shehutdhe bashkëpunëtorëvë të tyre zëvëndësimi i “ Telefonyi Zakon” me Rule of law në sistemin e drejtësisë në këtë vend është ende një betejë që vazhdon. Vetë ideja dhe objektivat e reformës në drejtësi e mbëshshtetur fuqishëm nga ne, por edhe nga aktorët lokalë synojnë vendosjen e plotë të rule of law në sistemin aktual të drejtësisë.

Po çfarë lidhje ka “Telefonyi Zakon “ me rastin e Thoma Gëllçit, ish Drejtori i Përgjithshëm Televizionit Publik?

 I arrestuar dy muaj më parë Gëllçi u akuzua për shpërdorim detyre dhe gjykata e shkallës së parë si dhe ajo e apelit miratoi masën e sigurisë “arrest më burg”.

Përpara arrestimit, Bordi i ri i Televizionit Publik i komunikoi vendimin se bazuar në ligjin respektiv dhe procedurat, Gëllçit i kishte mbaruar mandate si drejtor. (Në fakt bordi kishte vetëm një detyrë që i ngarkon ligji të shpallte në kohë garën për të zgjedhur drejtuesin, garë që e hapi 7 muaj e vonesë dhe vetëm pas vendimit të gjykatës rast i qartë që bordi ka thyer ligjin).

Kjo ishte e vërtetë. Por, po sipas ligjit, Drejtori rri në detyrë deri sa të zgjidhet Drejtori i ri dhe Gëllçi duket se kishte plane për të kandiduar për një mandate të dytë. Ai e hodhi në gjyq vendimin për ndëprerjen e funksionit si Drejtor të ndërmarë nga Bordi Drejtues, megjithëse ia dorëzoi detyrën zëvëndësdrejtorit.

Duket se arrestimi i Gëllçit ka qenë i papritur për shumë njerëz që e njihnin, por edhe për vetë atë. I liruar nga detyra e Drejtorit, pas pushimeve Gëllçi udhëtoi për në SHBA duke qenë edhe qytetar amerikan. Tre ditë pasi u kthye nga SHBA, policia e arrestoi në fshatin e tij të Lindjes në një operacion të sofistikuar të denjë për një kriminell edhe të rrezikshëm edhe të sofistikuar.

 Fakti që të dyja gjykatat edhe ajo e shkallës së parë edhe ajo e apelit morën vendim për mbajtjen në burg e përforcon idenë se kemi të bëjmë me një “kriminell” që po të lihet i lirë e pakta që mund të bëjë është se mund të prishë provat, madje mund të arratiset për shembull në SHBA. Se si mund të ndodhë prishja e provave kur Gëllçi duke mos qënë më drejtor i RTSH nuk ka më asnjë akses në dokumenta; Apo si mund të arratiset në SHBA, kur ai ishte atje dhe erdhi vetë, kjo nuk është aspak e qartë dhe afërmendsh e pabesueshme.

Mirëpo pamvarësisht nga të gjitha këto ne nuk e dimë se çfarë ka bërë “kriminelli “ Thoma Gëllçi. Ajo që dimë është çfarë ka bërë drejtori i Përgjthshënm i TV Publik Thoma Gëllçi!.

Edhe më mediokrit, edhe më të painformuarit edhe më kundërshtarët dhe ziliqarët madje edhe kokëtrashët e pranojnë se gjatë katër pesë vjetëve të fundit TV publik ka ndryshuar në substancë. Gëllci në krye të TV publik kontribuoi në modernizimin e një institucioni të prapambetur. Dhe këtu nuk është fjala për dixhitalizimin dhe ndryshimet teknologjike ndonëse edhe këto janë një arritje. Nga një instrument propogande i partisë së rradhës në pushtet, TV publik bëri hapa të rëndësishëm për një pavarësi profesionale të admirueshme e cila u njoh edhe nga raportet e institucionev ndërkombëtare. Për herë të parë TV publik u ofroi shqiptarëve edhe jashtë Shqipërisë programe dhe kanale të posaçme për artin, muzikën filmin, për shkollën dhe sistemin e arsimimit. Për herë të parë sportdashësit shqiptarë patën mundësinë të ndiqnin brenda dhe jashtë Shqipërisë kampionatet botërore apo europiane të futbollit dhe jo vetëm!

 Qytetarët kanë qenë të detyruar t’i merrnin këto shërbime nga televizionet private me pagesa të shtrenjta. Ka shumë gjasa që me këto sipërmarrje drejtori Gëllçi të ketë fituar edhe mërinë e televizioneve private, të cilat në mënyrë sistematike kanë shfrytëzuar arkivat e pasura të TVSH.

Gjithashtu ndonjë emision investigativ për të zbuluar lidhjet e njerëzve të fortë me politikën mund të ketë frymëzuar gjithashtu zemërime të mëdha.

Mirëpo çfarëdo gjëra të mira që mund të ketë bërë Drejtori Gëllçi, nuk mund t’Ii japin imunitet “ kriminellit “ Thoma Gëllçi.

Fakti që me “kriminellin “ Gëllçi po merret SPAK një nga institucionet e reja të sistemit të drejtësisë të krijuar me reformën e re, sugjeron se diçka e rëndë ka ndodhur dhe Gëllçi duhet të jetë përfshirë në veprimtari kriminale të lartë. Ne nuk e dimë këtë dhe deri sa të bëhet gjyqi nuk do të arrijmë ta kuptojmë.

Mirëpo duket se nuk jemi vetëm ne që nuk e dimë dhe nuk e kuptojmë çfarë ka bërë “kriminelli “ Thoma Gëllçi.

Edhe SPAK edhe gjykata speciale kundër korrupsionit e shkallës së parë edhe ajo e apelit duket se nuk janë të qarta për krimin që ka kryer Drejtori i RTSH.

Kur Prokuroria njoftoi publikisht me deklaratën e saj të datës 8 Tetor arrestimin e Gëllçit: krimi ishte i qartë. Sipas kësaj deklarate prokuroria nuk shprehej se kishte “dyshime të arsyeshme” se Thoma Gëllçi kishte shkelur ligjin. Përkundrazi njoftimi i prokurorisë i ngjante në fakt një vendimi gjyqësor: Dhe shprehimisht në këtë deklaratë thuhet: ”Shtetasi Thoma Gëllçi ka kryer shkjelje ligjore… të kualifikuara në elementet e veprës penale “ shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i kodit Penal”. Prokuroria ka arritur në këtë konkluzion pas hetimeve që kanë filluar që në 28 Shkurt 2020, pra pothuajse pas dy vitesh hetimi.

Natyrisht asnjë arsye nuk ka pse të vihet pikëpyetje mbi këtë konkluzion të SPAK, konkluzion që ka ardhur pas dy vjet hetimesh. Mirëpo pothuajse një muaj pas kësaj deklarate publike, SPAK i drejtohet Radio Televizionit Shqiptar me një kërkesë për t’u informuar dhe për të vënë në dispozicion dokumenta për kanalin televiziv “ Agro” “kur ka filluar punën, a ka një staf të posaçëm, të punesuar, cilat janë paisjet që përdoren për programet e këtij kanali “ dhe gjëra të tilla të ngashme!

Ndërkaq akuza për shpërdorim detyre për Drejtorin Gëllci lidhet pikërisht me kanalin televiziv AGRO. Për këtë akuzë e cila ka filluar të hetohet qysh më 28 shkurt 2020, prokuroria më 7 Tetor 2021 thotë se Gëllçi ka krye shkelje ligjore. Ndërsa më një 1 Nëntor 2021, prokuroria me deklaratën e vet pohon se është duke kryer hetime, për një çështje për të cilën më 7 Tetor ishte e bindur se kishte evidencë të qartë të kësaj shkeljeje.(?!!)

Paralel me arrestimin e bujshëm dhe komunikimin publik të prokurorisë që nuk linte vend për fajesinë, ndodhte edhe linçimi publik dhe damkosja e Gëllçit si “ kriminell” i përfshirë në afera milionëshe korrupsioni me tendera të kryera gjatë kohës që ai ishte ne krye te TV Publik. Pas lincimit publik në fakt u sqarua se bëhej fjalë për një tender të vetëm rreth 800 mijë euro për të cilin ishin arrestuar tre anatarët e komisionit dhe ku Drejtori Gëllçi nuk kishte asnjë kopetencë. Eshtey krejt njëlloj sikur për tenderin prej 25 milionë Euro të Ministrisë së Brendëshme të kishin përfunduar në burg jo vetëm anëtarët e komisionit të tenderimit ashtu siç edhe ndodhi, por edhe titullari, vetë Ministri i Punëve te Brëndëshme dhe vetë Drejtori Përgjithshëm i policisë. Apo të dy këto raste, tenderi 800 mijë euro në RTSH dhe tenderi 25 milionë euro në Ministrinë e Brendëshme janë dëshmi e standarteve të dyfishta, një pratikkë tipike për “Telefonyi Zakon, që po u zbatokan edhe nga drejtësia e re?!

Por të kthehemi tek dy dokmumente që duket se kundërshtojnë njëra-tjetrën: Deklarata e prokurorisë e 7 Tetorit 2021 e shpall Gëllçin të fajshëm dhe nuk lë dyshime për mungesë provash. Ndërsa shkresa e datës 1 Nëntor 2021 I kërkon RTSH provat!

A do të thotë kjo se pasi e ka arrestuar dhe e ka akuzuar për shkelje ligjore, tani organet e drejtësisë po mbledhin provat e fajësisë së ‘kriminellit ‘ Gëllçi?

Nëse është kështu ky është një rast i pastër i “Telefonyi Zakon” që trajtuam në fillim, sëmundje nga e cila ende drejtësia shqiptare nuk ka shpëtuar.

Eshtë e qatë se organet e reja të drejtësisë prokuroria apo gjykata kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë nën presione të forta dhe një prove të madhe.

Por suksesi, besueshmëria, legjitimiteti, dobishmëria dhe dhënia e drejtësisë arrihen vetëm përmes zbatimit të rule of law. Jo çdo akuzë që ngre prokuroria vlerësohet e bazuar nga gjykata. Nëse ndodh kjo do të ktheheshim tek koha më e errët e sistemit të drejtësisë në Shqipëri kur edhe prokuroria edhe hetuesia edhe gjykata ishte një trupë e vetme që funksiononte sipas principit “ Telefonyi Zakon”.

Kush e mendon të gjithë këtë argument si një përpjekje për të mbrojtur Gëllçin dëshiroj t’i them se kushdo mund të ndodhet vetë në një situatë të ngjashme. Sistemi “Telefonyi Zakon” është i verbër dhe në një sistem të tillë askush nuk ka imunitet. Në fillim të këtij shkrimi folëm për ish kryeministrin Shehu, një eksponent i lartë i sistemit “ Telfonyi zakon” që me urdhëra, pa gjyqe, pa evidence, kishte urdhëruar burgosjen, vrasjen edhe të civilëve madje, ashtu siç dëshmon At Zef Pëllumbi edhe të fëmijëve. Por më në fund sistemi “Telefonyi Zakon” u kthye egërsisht kundër tij, me akuza të paqëna, ndërsa sipas ekspertëve të pavarur, meritonte një process gjyqësor për krimet kundër paqes dhe krimet kundër njerëzimit për të cilat gjithmonë e më shumë po zbulohen prova të shumta.