Në Foltoren e sotme në Tropojë, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë deklarata të forta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai nuk e do veriun dhe Kosovën.
Ai i ftoi qytetarët që të bashkohen dhe të ngrihen për ta rrëzuar atë.
“Në 8 vite Shqipëria ka kaluar nga një rekord i zi në një tjetër. Në 8 vite Veriu i Shqipërisë u diskriminua më shumë se çdo pushtues i të gjitha kohërave. Pothuajse asnjë investim, përkundrazi.
Edi Rama një armik i egër i qenies shqiptare iu vuri dhe taksën me rrugën e Kombit. Qarku më i varfër i Europës, më i varfër në Shqipëri, 20 vite diferencë me qarkun e Tiranës, paguan taksë. Ja u vuri vizën ju, kurse shqiptarët në katër anët e vendit qarkullojnë pa taksa. Rama i vuri taksë Veriut dhe Kosovës. Ata të cilët mund të më thonë mua se po nxit përçarje, jo ju them unë. Përkundrazi.
Unë do të luftoj përçarjen dhe do të bëj gjithçka që të jemi të bashkuar. Në 8 vite Edi Rama ndonëse me ministrat e tij shumëfishuan pasuritë e veta, varfëruan pa mëshirë qytetarët shqiptare. Sot pas 8 vitesh shqiptarët kanë rrogat më të ulëta në rajon. 8 vite më parë filluan të kthehen në Shqipëri bijtë nga emigracioni për të ndërtuar të ardhmen në këtë vend.”- deklaroi Berisha.
Më pas ai shtoi: “Miqtë e mi. Akoma më dramatike është çështja kombëtare. Edi Rama njëlloj si Enver Hoxha, i kapur peng nga argati i Beogradit po bën gjithçka për të vendosur Shqipërinë në dominimin e Serbisë, në një projekt Serborus ‘Balkani i Hapur’. Ka rrethuar Kosovës në një darë armiqësore. Në takimet që bënë lëshon rrufe drejt udhëheqjes politike të Kosovës. Në këto 8 vite nuk ka bindur asnjë shtet që të njoh Kosovën. Nga kjo platformë do i çoj një mesazh Slobodanit të ri, hiqe nga mendja se do të kaloj Ballkani i Hapur në Shqipëri, me firmën e Edi Ramës. Mendohu mirë. Mendohu shumë herë! Mendohu shumë herë para se të mësysh Tiranën si mik i Edi Ramës, pasi një popull i tërë do të jetë në rrugë kundër teje. Ne jemi dhe do të punojmë për marrëdhënie normale, por jo kurrë në kurriz të Kosovës. Ai kërcënon Kosovën.”