Vendosni fjalën kyçe....

E detyruan të futet në karantinë, gruaja në Australi i vë zjarrin hotelit (Video)


Një grua është arrestuar dhe akuzuar për zjarrvënie në Queensland, Australi pasi thuhet se i vuri zjarrin një hoteli ku ajo dhe dy fëmijët e saj u detyruan të karantinohen për dy javë.

Zjarri përfshiu katin e fundit të hotelit Pacific në qytetin verilindor të Cairns, duke detyruar evakuimin e më shumë se 160 të karantinuarve.

Autoritetet thanë se një grua 31-vjeçare i vuri flakën shtratit, pasi kaloi ‘dy ditë’ të karantinës së detyrueshme dy-javore brenda hotelit pasi erdhi në Queensland nga një shtet tjetër. Para incidentit, ajo gjithashtu thuhet se kishte shkaktuar telashe të tjera për stafin gjatë qëndrimit të saj.

Dy fëmijët e saj u morën nën mbrojtjen e policisë, ndërsa gruaja u akuzua për zjarrvënie dhe dëmtim prone me dashje dhe do të dalë në gjykatë të hënën.

Gjatë rrjedhës së pandemisë Covid-19, Australia ka regjistruar rreth 2,000 vdekje ndërsa ka pasur disa prej masave më drakoniane të bllokimit dhe karantinës në botë, duke ndikuar jo vetëm në udhëtimet ndërkombëtare, por edhe ndërshtetërore, në një përpjekje për të mbajtur infeksionet aq të ulëta sa e mundur derisa shumica e popullsisë të vaksinohet.