Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka klasifikuar për audit 120 institucione këtë vit, gjysma e të cilave (rreth 50%) u vlerësuan me risk të lartë në procesin e zbatimit të ligjit e për rrjedhojë edhe në menaxhimin e fondeve publike.
Lista kryesohet nga ministritë e linjës dhe institucionet në varësi të tyre dhe nga ndërmarrjet publike, kryesisht në fushën e energjisë.
Lista e institucioneve me rrezik u kryesua nga Ministria e Shëndetësie, e cila u ndoq nga Qendra Spitalore “Nënë Tereza”.
Më tej në radhë vijnë Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria për rindërtimin, Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare Burimeve Natyrore (AKBN), Agjencia Kombëtare e Informacionit (AKSHI), Ministria e Bujqësisë, AZHBR, KQZ-ja, Shërbimi i provës, Koncesioni “Rruga e Arbrit”, Drejtoria e Policisë.
Me rrezik të lartë në zbatimin e ligjit u vlerësuan gjithashtu spitalet kryesore publike në vend, kompanitë e Energjetikes, OST, OSHEE, Albetrol, Drejtoria e Ujësjellësve.
KLSH vlerësoi me rrezik të lartë për përputhshmërinë me ligjin disa projekte të mëdha në investimet publike dy prej të cilave koncesione PPP. Psh koncesioni i rrugës së Arbrit dhe Inceneratorit të Tiranës u vlerësuan me rrezik të lartë, gjithashtu në këtë nivel risku u vlerësua investimi në rrugën e re Qukës-Qafë-Plloçe, kostot e së cilës kanë dalë jashtë kontrollit.
Me rrezik të lartë zbatimi u vlersua edhe projekti “Lidhja e rrugëve sekondare dhe lokale: që nisi në vitin 2018, projekti “Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor” 2025, projekti “Furnizimi me ujë i zonave rurale III”.
Nga 120 institucionet e programuara për kontroll vetëm pesë prej tyre u kategorizuan me rrezik të ulët të shpërdorimit të ligjit dhe fondeve. Ato ishin Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ALUIZNI dhe Hipoteka Korçë, Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
KLSH sqaron se, çdo Departament Auditimi dhe Drejtori, përpilon Regjistrin e Riskut, për të cilat Kryetari i KLSH-së ka nxjerre Udhëzimin nr.1 datë 13.01.2014, në zbatim të te cilit është përgatitur dhe një Udhërrëfyes i hollësishëm që lidhet me “Menaxhimin e Riskut”.
Në përcaktimin e risqeve të auditimit angazhohet i gjithë stafi auditues duke filluar nga audituesit sipas detyrave, që në fazën e hartimit të programit të auditimit. Këto risqe diskutohen në nivel departamenti/drejtorie dhe seleksionohen./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor