Naftëtarët e Ballshit kanë protestuar edhe ditën e sotme pranë uzinës po qëndruan në largësi duke qenë se ajo ruhet nga forca të shumta policie.
Ata kërkojnë prej disa ditësh pagat e prapambetura si dhe kanë kërkuar që ish-përfaqësuesi i sindikatës së tyre Iljaz Kamberi dhe përfaqësuesi ligjor të dalin e të japin shpjegim lidhur me procesin gjyqësor për pagat e prapambetura.
Njëri prejk punonjësve tha se mbi 300 persona kanë paguar nga 5000 lekë për këtë gjë. Punonjësit thanë se do shkojnë në komisariatin e policisë për të ngritur akuzë penale ndaj dy personave në fjalë që sipas tyre e kanë lënë procesin pas dore.
“Ne kemi pohuar që kemi nga 2015 që punonjësit e uzinës kanë fituar gjyq. E ka hapur kryetari i sindikatës, Kamber Iljazi së bashku me Taf Kolecin. Sipas informacioneve që kemi deri tani na është thënë që gjyqin e kanë fituar 500 të parët. Janë edhe 497 persona në proces gjyqësor. Kamber Iljazi të paraqitet e të na thotë si kanë shkuar gjërat. Ne kemi paguar një 50 mijë lekëshe. Nuk e dimë pse heziton,” shprehet një prej naftëtarëve.