Vendosni fjalën kyçe....

Personat me aftësi ndryshe protestë para Kryeministrisë: Qeveria e ka për detyrë të na ndihmojë të krijojmë një pavarësi ekonomike


Qytetarë të sëmurë paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe familjarë të tyre, kanë zhvilluar këtë të mërkurë një protestë përpara Kryeministrisë.

Ata kërkojnë që qeveria t’i mbështesë ekonomikisht. Një përfaqësues i tyre tha se është detyrë e qeverisë që t’i mbështesë për të krijuar një pavarësi të tyren ekonomike, sepse janë të aksidentuar në punë, miniera, në ushtri, ndërsa kanë qenë në krye të detyrës. Ai shprehet se s’mund të mbështeten gjithmonë nga ndihmat e të afërmve.

“Kujdestari paguhet me pagë minimale punëtori. Zotërinj të nderuar, nuk na shërben kush për 100 mijë lekë. Është shumë dhimbje dhe shumë vuajtje që një kujdestar t’i shërbejë një para dhe tetraplegjiku.

Është shumë shqetësuese që një kujdestar të mbajë një paraplegjik, ta ngrejë një paraplegjik. Pra duhet të jetë shumë, shumë e fuqishme, shumë herkule, shumë mundëse, shumë shtangiste, që nuk ndodh kjo sepse femra është krijesë e butë, e brishtë, thjesht për të na shërbyer, por jo për të na mbajtur.

Rimbursim i pagesës higjinienike. Të na rikthehet me 300 mijë lekë të vjetra paketa higjienike. Kjo ka kosto marramendëse deri në 1.500 euro në muaj. Ne këtë e gjejmë përmes njerëzve tanë të afërt. Por vallë tërë jetën do varemi nga njerëzit e tjerë? Nuk kemi mundësi që të kemi pavarësi ekonomike, që ne të ndihemi njerëz, të lumtur, të barabartë me gjithë bashkëvuajtësit tanë në Europë.

Të mos shohim majtas dhe djathtas e të jemi krenar për atë që na pret përpara.

Realiteti sotëm është që 1 litër karburant ka vajtur 2 mijë lekë. Kryeministri ka premtuar se këtyre u takon 80 litra karburant, por ne nuk e kemi. Nuk na intereson çmimi, ne na intereson litri, të njohim Shqipërinë, të njihemi me njerëzit tanë, të jemi të pavarur, mos të vrasim mendjen nëse dikush do na ndihmojë. Duhet të kemi një pavarësi tonën, kjo është pavarësia ekonomike që i takon shtetit tonë, sepse ne jemi aksidentuar në punë, miniera, në ushtri, në krye të detyrës. Është detyrim kushtetues e shtetit tonë që të na mbrojë nga të gjithë parametrat ekonomikë.”- tha një prej protestuesve.